E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinezët kundërshtojnë raportin amerikan

Nga Express më 25 gusht 2011 në ora 21:30

Pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, në të cilin thuhet se Kina është në rrugë drejt ndërtimit të një ushtrie moderne deri në vitin 2020, agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Xinhua, ka akuzuar ShBA’të për “përzierje” në punët e brendshme të Kinës.

Sipas Xinhua, raporti vjetor i Pentagonit për Kongresin e “përzihet” edhe në marrëdhëniet e Kinës me Tajvanin.

Në raportin amerikan tërhiqet vërejtja se Kina e ka zgjeruar avancimin e saj ushtarak kundrejt forcave të Tajvanit, duke pasur një artileri më të mirë, që mund t’i godasë caqet brenda në Tajvan.

Kina e konsideron Tajvanin territor të vetin, të cilin një ditë do t’ia ribashkojë pjesës kontinentale të Kinës - nëse është e nevojshme edhe me forcë. Ndërkohë, SHBA e kanë furnizuar vazhdimisht Tajvanin me armatim.

Në raport, Pentagoni thekson se ushtria kineze ka investuar në armatim të teknologjisë së lartë, i cili do të zgjerojë mundësinë e arritjes së caqeve në rajonin e Oqeanit Paqësorë, gjë që potencialisht e destabilizon balancën ushtarake rajonale, ku tensionet ende vazhdojnë të shtohen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›