E Diel, 1 Nëntor 2026

Beograd, takimi me Thaçin, rrënim i interesave serbe

Takimi Daçia -Thaçi në Bruksel ka hasur në reagime të ndryshme të qarqeve politike e analiste të Beogradit. Çedomri Jovanoviç, kryetar i Partisë Liberal Demokratike (LDP) e vlerëson këtë takim nën ombrellën e BE si ngjarje pozitive nëse me këtë përfundimisht qetësohet traumizimi shumëvjeçar i opinionit dhe marrja me elementet periferike të negociatave të ardhshme”.
 

Ai ka thënë se “serbëve dhe shqiptarëve, Serbisë dhe Kosovës i nevojiten paqe e qëndrueshme, kurse njerëzve politika e cila do të siguroj që më në fund një gjeneratë të jetojë jetën pa luftë e konflikte”.
 

Prandaj, shton Jovanoviç, për këtë shkak është vendimtare që takimi të mos përcillet me “sjelljen e papërgjegjshme të zyrtarëve të shtetit dhe me ndonjë përpjekje të re që ngjarja në Bruksel të kompensohet me fushatën antievropiane ose nacionaliste për nevojat e brendshme, sikur që ka qenë rasti deri më tash në situatat e ngjashme”.
 

Sipas tij, me anë të ngjarjes në Bruksel u bë e qartë se LDP, me vite ka pas të drejtë kur ka kërkuar që problemit të Kosovës t`i qasemi në mënyrë racionale, që të mos i ikët dialogut në nivelin më të lartë, me pretekstin absurd se çdo takim apo pjesëmarrje në takime është - “njohje indirekte e Kosovës”.
 

Jovanoviç konsideron se pohimet e Daçiçit dhe të zyrtarëve tjerë se Serbia është e gatshme për dialog janë të pasakta, sepse autoritetet në Serbi nuk ia kanë prezantuar as opinionit as Parlamentit Platformën aq shumë të paralajmëruar për negociata.
 

Prandaj, siç ka rekomanduar, zgjidhja për marrëdhëniet e Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë e mbështetur në përcaktimin e Serbisë që mosmarrëveshjet tona të zgjidhen sipas parimeve evropiane, me perspektivën e qartë e anëtarësimit në BE edhe për Serbinë edhe për Kosovën, dhe me garanci për paqe të qëndrueshme dhe pakësimin e rëndësisë së kufijve nëpërmjet anëtarësimit në BE dhe NATO.
 

Funksionari i lartë i Partisë Socialiste (SPS) në pushtet, Branko Ruzhiç thotë se kryeministri Daçiç ka marrë përgjegjësi të plotë, ka treguar seriozitetin e shtetit, kur është fjala për zgjidhjen e problemit të Kosovës, dhe gatishmërinë për t`i nisur bisedimet.
 

Kreu i shtetit është përcaktuar që Daçiç të jetë shef i ekipit negociator të Beogradit me Prishtinën dhe ai është i gatshëm ta marrë këtë përgjegjësi me çka ka treguar vendosmëri dhe guxim kur është më vështirë ka thënë Ruzhiç.
 

“Këto janë lëvizje cilësore përpara në raport me Qeverinë mëparshme. Nga ana tjetër duhet qenë realist dhe të shikohet se në cilën kornizë lëvizim, dhe çka është e mundshme të arrihet në atë proces negociator. Duhet patjetër të bisedojmë mbi realitetin si në jug ashtu edhe në veri të lumit Ibër” ka thënë Ruzhiç.
 

Partia Demokratike e Serbisë (DSS) e Vojisllav Koshtunicës është pakënaqur që kryeministri Daçiq është takuar me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin, sepse konsideron se kjo paraqet rrënimin e interesave shtetërore e kombëtare serbe.
 

Për këtë parti, takimi është plotësisht i papranueshëm, duke qenë se kundër Thaçi, më 2008 është ngritur padia penale për shkak të veprave më të rënda penale – minimi i rendit kushtetues të Serbisë,e dyshohet edhe për trafikimin e organeve të serbëve në Kosovë.
Edhe për profesorin e Fakultetit të Shkencave Politike, Predrag Simiqin takimi i Daçiç-Thaçi nëse asgjë tjetër, do t`i qetësojë tensionet ndërmjet Beogradit e Brukselti dhe krizën në raportet e tyre. Ai konsideron se do të ishte më mirë sikur takimi trepalësh të ishte mbajtur pas Platformës të cilën Beogradi akoma nuk e ka.
 

“Supozoj se trysnia nga Brukseli ka qenë aq e madhe sa që takimi është dashur patjetër të ndodh para se të hartohet platforma, të përcaktohen objektivat e negociatave, para se që janë qetësuar pasionet pas publikimit të Strategjisë mbi shtrirjen e BE”, ka thënë Simiç.
Sipas tij, takimi Daçiç-Thaçi është “prodhim” i diplomacisë Eshton në mënyrë që BE të tregojë se dialogu po afrohet dhe e ka formulën për sukses. “Lidhur me këtë çështje, më duhet të mbetem bukur skeptik sepse rrjedha e deritashme e ndërmjetësimeve të BE ndërmjet Beogradit e Prishtinës nuk ka sjell shumëçka të mirë”, ka përfunduar Simiç.

Reagimet tjera politike e analiste të Beogradit pritet të pasojnë pas kthimit të Daçiçit nga Brukseli.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›