Kirgistan, 17 të vrarë në protestat e opozitës
Protesta të mëdha kanë përfshirë Kirgistanin dhe madje ato janë përshkallëzuar aq shumë sa kanë marrë edhe jetën e ministrit të Brendshëm, ndërkohë që është marrë peng zëvendëskryeministri, si edhe televizioni shtetëror. Të gjitha këto janë pasojat e një revolte të ashpër drejtuar kundër Presidentit të vendit Kurmanbek Bakiyev. Ndërkohë, forcat e policisë kanë reaguar me ashpërsi, duke hedhur fillimisht gaz lotsjellës ndaj protestuesve e më pas kanë hapur zjarr ndaj tyre, kur e kanë parë se kanë qenë të pandalshëm. Ata kanë rrethuar zyrën e Presidentit të vendit në kryeqytetin Bishkek. Sipas një burimi të policisë, kanë mbetur të vrarë deri më tani 14 persona, por nuk bëhet fjalë për një numër zyrtarisht të konfirmuar dhe mendohet se numri i viktimave mund të jetë shumë më i madh. Në një përpjekje të dëshpëruar për të qetësuar situatën, Kryeministri i vendit Usenov ka shpallur gjendjen e emergjencës, por menjëherë pas kësaj deklarate protestuesit e opozitës kanë sulmuar dhe pushtuar zyrat e televizionit shtetëror, duke detyruar ndalimin e të gjitha programeve në një shenjë të qartë që tregon se qeveria është duke e humbur pushtetin dhe kontrollin e situatës në vend.
Sipas një burimi të Ministrisë së Brendshme, kreu i ministrisë ka mbetur i vrarë në revolta. Ai është sulmuar nga protestuesit, ndërsa kishte shkuar për të qetësuar situatën. Protestuesit kanë arritur gjithashtu që të marrin peng zëvendëskryeministrin e vendit. Në Bishkek ka pasur gjatë gjithë ditës së djeshme shpërthime nga granatat, bombat dhe armë të tjera plasëse, ndërkohë që protesta ka qenë e përqendruar në qendër të qytetit. Në këtë situatë shumë të vështirë, kaotike dhe të dhunshme, Rusia ka bërë thirrje për qetësi. Shtetet Bashkuara të Amerikës, që kanë në Kirgistan një bazë ajrore, kanë shprehur gjithashtu shqetësimin e tyre për përkeqësimin e situatës. Protestat në Bishkek ishin kulmimi i një sërë protestash që kishin nisur nga opozita dhe forcat opozitare, të cilat e akuzojnë qeverinë e djathtë për dhunim të ligjit, autoritarizëm dhe menaxhim shumë të keq të ekonomisë së varfër të vendit. Në shesh kanë qenë rreth 5000 protestues që u vunë zjarrin makinave, ndërsa kanë marshuar drejt objekteve më të rëndësishme të qendrës së qytetit dhe kryesisht drejt zyrës së Presidentit. Ata kishin shtënë në dorë edhe disa tanke, me të cilët qarkullonin nëpër rrugë. Protesta ka pasur edhe në qytete të tjera të vendit, por ajo e organizuar në kryeqytet ka qenë më e madhe dhe më e dhunshmja deri më tani. Kirgistani, një vend malor, është një pikë strategjike mes Kinës, Rusisë dhe Azisë Juglindore e megjithatë është një nga vendet më të varfra të Azisë. Ai është karakterizuar vazhdimisht nga protesta si ato të vitit 2005, të cilat rrëzuan nga froni Presidentin e atëhershëm Askar Akayev. Ndërkohë, lajme ka edhe për arrestimin e ish-kryeministrit dhe një kandidati presidencial, të cilët ishin pjesë e opozitës.
#