E Diel, 1 Nëntor 2026

Kirgistan, Presidenti lë vendin, kriza më shumë shanse për tu zgjidhur

Sipas disa burimeve qeveritare, Presidenti ka lënë një letër dorëheqjeje

I përzënë nga posti pas revoltave të opozitës një javë më parë, Presidenti i Kirgistanit, Kurmanbek Bakiyev, e ka lënë vendin e tij. Sipas një burimi qeveritar, ai ka fluturuar në Kazakistanin fqinj dhe me këtë veprim u është dhënë fund ditëve të rrëmujave dhe trazirave që dominuan Kirgistanin. Këto trazira shkaktuan edhe një ndërprerje të funksionimit të bazës amerikane në këtë vend. “Presidenti i Kirgistanit ka shkuar në Kazakistan, ku do të kryejë bisedime për zgjidhjen e krizës”, ka bërë të ditur një burim qeveritar. Sipas një tjetër burimi zyrtar, Presidenti, i cili që nga data 7 nuk ka qenë në funksion të detyrave të tij, ka shkruar një letër dorëheqjeje. Largimi i tij nga vendi i ka dhënë fund edhe sundimit të një njeriu që erdhi në pushtet ashtu sikurse iku, përmes protestave të 5 viteve më parë në të ashtuquajturin “Revolucioni i Tulipanit”, që shpërtheu në Bishkek. Përmes këtij revolucioni u përmbys qeveria e sundimtarit të parë të vendit, që kishte drejtuar Kirgistanin që pas shkëputjes së tij nga Bashkimi Sovjetik. Ata që e rrëzuan Presidentin aktual nga pushteti, e akuzuan atë për të njëjtat gjëra për të cilat u akuzua 5 vjet më parë ish-presidenti pra për menaxhim shumë të keq të ekonomisë, për nepotizëm dhe shtim të madh të korrupsionit. Pakënaqësitë në vend u shtuan dhe arritën një pikë kulmore që prej muajsh, derisa shpërthyen një javë më parë me kryengritje e protesta nëpër rrugët e kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera të rëndësishme të vendit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›