E Diel, 1 Nëntor 2026

Tension në gjyqin e bandave të Durrësit, Killeri Selman Heti ndryshon thëniet

I pandehuri: Nuk i njoh Berishën dhe Doklen. Prokuroria: Dëshminë e tij e kemi filmuar

Tre avokatë që mbrojnë të pandehurit e bandave të Durrësit janë përjashtuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi kanë thyer etikën. Seanca e djeshme gjyqësore është karakterizuar nga debate të forta për dëshminë e “killerit” Selman Heti, personi që ka zbërthyer gjithë veprimtarinë e bandave të drejtuara nga Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle. Kur pritej që Heti të tregonte tentativën e vrasjes së Lul Berishës, ai ka deklaruar se “nuk dua të pyetem nga prokuroria”. Procesi gjyqësor kundër 17 të pandehurve që akuzohen për dhjetëra vrasje zgjati rreth dy orë dhe kaloi përmes tensioneve të larta. Avokatët kanë ndërhyrë për të penguar të vetëquajturin “vrasës me pagesë” Selman Heti t’u përgjigjej pyetjeve të akuzës dhe për të mos u lexuar deklaratat e bëra në policinë gjyqësore. Ndërkohë situatën e ka ndezur edhe një dëshmitar i papritur që solli në sallë prokurori Anton Martini, i cili quhej Agim Rexhepagaj. Ky dëshmitar ishte shok i ngushtë i Lulzim Berishës dhe do të fliste për disa vrasje që implikonin të pandehurit. Shfaqja e tij irritoi avokatët Riza Icka, Ilia Ilia dhe Dashnor Mullai, të cilët njëzëri reaguan duke thënë se prokuroria ka ushtruar presion, ndërsa kryesuesi i procesit është detyruar disa herë të tërheqë vëmendjen e avokatëve.

Seanca

Në fillim të seancës gjyqësore, prokurorët Anton Martini dhe Behar Dibra kërkuan që të pyetej i pandehuri Selman Heti. Në momentin që i bënë pyetjet e para, ai u tërhoq përpara akuzës. Nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të prokurorit, ndërkohë që me kërkesë të akuzës gjykata pranoi të lexoheshin deklarimet e dhëna prej tij në datë 22 shtator 2006 para prokurorit Behar Dibra. “I pandehur, në bazë të nenit 166 KPP, ju bëjmë me dije se akuza kërkon që ju të pyeteni. është e drejta juaj nëse dëshironi apo jo t’i përgjigjeni”, i bëri me dije gjykata, ndërsa ka marrë si përgjigje nga Heti një “Po”. Në këtë moment kanë ndërhyrë avokatët, duke i thënë njëzëri: “Jo çfarë thua ti”. Këtu reagoi Heti, duke thënë se nga akuza nuk preferon të pyetet. Prokurori Anton Martini tha se ndaj të pandehurit Selman Heti u ushtrua presion nga avokatët dhe meqenëse nuk dëshiron të përgjigjet kërkoi të lexohen deklarimet para oficerëve të policisë gjyqësore, si dhe në seancën për masën e sigurimit. Sipas Martinit, janë tre procesverbale, i pari në datë 18 mars 2006 para prokurorit Sokol Malaj, i dyti në datë 7 qershor 2006 para Lorenc Dervishit, oficer i policisë gjyqësore dhe i treti në 22 shtator 2006 para prokurorit Behar Dibra. Avokatët deklaruan se kanë bërë pavlefshmëri të procesverbaleve të hetimit dhe nuk dëshironin që ato të lexoheshin, duke pohuar se deklarimet e Hetit janë marrë nën ndikimin e dhunës psikike. Pasi dëgjoi palët, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi se: “Pasi u njohëm me materialet dhe kërkesat vendosëm të lexohet vetëm procesverbali i datës 22 shtator 2006. Për procesverbalin e datës 18 mars 2006, nuk mund të lexohet, pasi prokurori ka qenë i pranishëm, por nuk e ka marrë në pyetje të pandehurin. Ne vlerësojmë se prokurori ka qenë vetëm në rolin e dëgjuesit dhe nuk e ka kryer mirë detyrën e tij në bazë të ligjit. Sipas nenit 256 KPP, i pandehuri duhej të merrej në pyetje nga prokurori, gjë që nuk është bërë. Në këto kushte, ky procesverbal i kthehet akuzës”. Në një moment ndërhyn edhe i pandehuri Indrit Dokle, duke pohuar se duhej lexuar procesverbali i dëshmisë që kishte bërë Heti. Leximi i procesverbalit nuk u krye nga akuza, por nga sekretarja gjyqësore. Në këtë deklarim, në prani të avokatit Dashnor Mullai, Selman Heti ka rrëzuar gjithçka të thënë kundër bandës.

Dëshmia

I pandehuri Selman Heti ka dëshmuar disa herë për funksionimin e bandave të Durrësit. Ai ka deklaruar se ka njohur si pjesëtar të bandës vetëm Adriatik Colin, me të ka biseduar për një vrasje. Dëshmia e tij është e filmuar dhe Heti ka pohuar se ka plagosur Lul Berishën dhe dy persona të tjerë, më pas u bllokua pistoleta. Heti ka shpjeguar të gjitha detajet dhe ka thënë para gjykatës se për vrasjen ka biseduar vetëm me Adriatik Colin dhe pas ngjarjes kishte marrë 25 mijë euro.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›