Nxënësit zhvillojnë mësim në stallë
Dy klasa të arsimit fillor në një fshat të rrethit të Beratit përballen çdo ditë me vështirësitë për zhvillimin e mësimit, pasi nga mungesa e shkollës mësojnë në një stallë. Investimi për ndërtimin e një shkolle nëntëvjeçare në një fshat të rrethit të Beratit ka ngelur në mes, si pasojë e moslëvrimit të fondeve, ndërkohë që nxënësit detyrohen të zhvillojnë mësimin në ambientet e një ish-stalle. Nxënësit e arsimit fillor në fshatin Mbrakull të Komunës Vërtop, që prej muajit nëntor e zhvillojnë mësimin në kushte tepër të vështira në një stallë të marrë me qira nga komuna, pasi punimet për ndërtimin e godinës së shkollës kanë ngelur në mes, si pasojë e moslëvrimit të fondit. Në fund të vitit 2009, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit, Komunës Vërtop i është aprovuar fondi prej 120 milionë lekësh të vjetra për ndërtimin e godinës së shkollës nëntëvjeçare të fshatit Mbrakull. Pas lëvrimit të pjesës së parë të fondit prej 20 milionë lekësh, nisi menjëherë puna për ndërtimin e godinës së shkollës. Por, tashmë dhe pse kanë kaluar pesë muaj, ndërtimi i godinës së shkollës ka ngelur në mes, pasi ministria nuk ka lëvruar pjesën tjetër të fondit. Kryetari i Komunës Vërtop, Flamur Balliu, bëri të ditur sot se në emër të komunës i është drejtuar disa herë Ministrisë së Arsimit dhe institucionit të prefektit në Berat për çeljen e pjesës tjetër të fondeve, por ende nuk ka asgjë përgjigje për këtë problem. “Firma sipërmarrëse tashmë është detyruar që të lërë në mes punimet për godinën e shkollës”, deklaroi kryetari i komunës. Në këto kushte, nxënësit e sistemit nëntëvjeçar janë detyruar të zhvillojnë mësimin në ambiente të papërshtatshme. Një pjesë e nxënësve janë vendosur të zhvillojnë mësimin në palestrën e shkollës së mesme të fshatit Mbrakull, në laboratorët e saj, ndërsa një pjesë tjetër e tyre e zhvillojnë mësimin në ambientet e një ish-stalle. Janë dy klasa të arsimit fillor me nga 30 nxënës që zhvillojnë procesin mësimor në kushte skandaloze në ambientet e një ish-stalle, që komuna në bashkëpunim me drejtorin e shkollës ka marrë me qira. Nxënësit dhe mësuesit ankohen se zhvillimi i mësimit është tepër i vështirë, pasi mungon ndriçimi, ambientet janë të papërshtatshme, ndërkohë që në ditët me shi gjithçka bëhet më e vështirë, pasi çatia e godinës pikon. Drejtuesit e shkollës bëjnë thirrje që ministria të lëvrojë pjesën tjetër të investimit, pasi nxënësit dhe mësuesit e kanë të pamundur të zhvillojnë mësimin në ambientet e stallës.
#