E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kiri Hajdari: Pse e pranova ftesën e Nard Ndokës për mitingun e PDK

TIRANE- Kiri Hajdari, djali i madh i liderit të dhjetorit ‘90, Azem Hajdari është angazhuar në fushatën elektorale të PD-së, së cilës i uron mandatin e tretë qeverisë. Por mbrëmë nuk ka refuzuar ftesën e miqve të Partisë Demokristiane për të qenë pjesë e mitingut elektoral të saj në Pallatin e Sporteve. 

Kiri Hajdari në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” sqaroi se ftesa iu bë nga miqtë e tij të PDK-së, Nard Ndoka dhe Frrok Gjini, por që kjo nuk do të thotë se do të bëhet pjesë e kësaj partie. Sipas tij, për asnjë arsye nuk ai do të braktisë partinë që e krijoi i ati, heroi i demokracisë, Azem Hajdari.
Kiri, cilat janë arsyet që ju morrët pjesë tek mitingu elektoral i Partisë Demokristiane?
Isha i ftuar nga miq të mi të cilëve nuk mund t’ua refuzoja ftesën për të qenë i pranishëm në mitingun e hapjes së fushatës elektorale të PDK-së.
Cilët janë miqtë tuaj tek PDK-ja?
Kam një miqësi të hershme me Frrok Gjinin dhe ftesa m’u bë prej tij ndaj dhe shkova pa hezitim në mitingun e partisë së tij.
Po me kreun e PDK-së Nard Ndoka keni njohje?
Po kam njohje me z.Ndoka, madje edhe ai më ftoi personalisht që të merrja pjesë dhe unë nuk ngurova të shkoja.
Përveç miqësisë me z.Gjini dhe z.Ndoka, nuk ka ndonjë arsye tjetër që ju pamë tek PDK-ja?
Jo jo, nuk ka asnjë arsye tjetër. Ju siguroj që s’kam asnjë lidhje tjetër me Partinë Demokristiane.
Ju kanë bërë ndonjë ftesë që të bëheni pjesë e PDK-së?
Jo jo, as që bëhet fjalë. Nuk bëhem pjesë e asnjë partie përveçse asaj që themeloi babi im.
Drejtuesit e PDK-së ju ftuan si djalin e Azem Hajdarit?
Besoj që po dhe kjo është një arsye më shumë që unë të isha pjesë e të ftuarve të PDK-së, por unë e njoh personalisht z.Gjini dhe z.Ndoka.
Pra vazhdoni të jeni një mbështetës i Partisë Demokratike?
Sigurisht dhe nuk e braktis për asnjë arsye Partinë Demokratike. Kjo është gjëja më e sigurt.
Jeni i angazhuar këto ditë me fushatën elektorale të PD-së?
Po patjetër, po mbështes fushatën e PD-së çdo ditë.
Po bëni fushatë për kandidatë të veçantë të PD-së?
Jo po mbështes PD-në dhe jo kandidatë të veçantë dhe u uroj si kandidatëve dhe PD-së fitoren e mandatit të tretë. Kam besim të plotë për fitoren e 23 qershorit.

(Intervista sot ne Gazeta Shqiptare)

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›