Kirurgjia e bajpasit koronar me teknikë të re, “Shefqet Ndroqi” realizon me sukses tri ndërhyrje

Për herë të parë në Shqipëri, është realizuar me sukses kirurgjia minimale invazive e koronares në tre pacientë, e cila aktualisht përdoret vetëm në 30% të klinikave në botë.
Kardiokirurgu Albi Fagu, i cili ka sjellë këtë teknikë nga spitalet e Gjermanisë ku ai ka punuar për 11 vite si specialist në kirurgjinë vaskulare, tregoi për RTSH se ndryshe nga metodat klasike, kjo nuk bën hapje të dërrasës së kraharorit dhe as nuk stopon funksionin e zemrës përmes aparaturës së qarkullimit jashtë-trupor.
“Kirurgjia minimale invasive konsiston në faktin e evitimit të incizioneve, ose prerjeve, që janë përdorur tradicionalisht në kardio-kirurgji, që është incizoni qendror i kraharorit diku tek 15-20 cm. Me teknikën e re kjo hapje është më e vogël dhe shkon në rreth 7-8 cm. Kjo hapje realizohet ndërmjet brinjëve, pra nuk përfshin hapjen e kockës së kraharorit dhe kjo bën që e gjithë situata të jetë sa më pak traumatike për pacientin. Gjithashtu ky operacion mund të realizohet edhe duke evituar përdorimin e një aparature që përdoret rëndom në kardio-kirurgji që quhet qarkullimi jashtë trupor, i cili në shumicën dërrmuese të rasteve është I nevojshëm për të realizuar një operacion kardiak. Kjo është një aparaturë që ndalon zemrën dhe mushkrinë dhe detyrat funksionale të këtyre dy organeve I merr përsipër kjo aparaturë e qarkullimit jashtë-trupor. Pavarësisht se është e domosdoshme, ajo ka edhe efektet e veta anësore sepse është një situate jo fiziologjike, jo e natyrshme. Kjo teknikë e re e eviton përdorimin e kësaj aparture,” tha kardiokirurgu Albi Fagu.
Ndërhyrja zgjat dy orë dhe rikuperimi I pacientit është shumë I shpejtë
“Riaktivizmi dhe rikuperimi i pacientit në periudhën e hershme post-operatore bëhet më i shpejtë. Në këto tre raste që ne kemi realizuar, pacientët kanë dalë nga spitali ditën 4-të ose të 5-të . Nga kontaktet që kam me të tre pacientët që kam operuar edhe rikuperimi në shtëpi është sinjifikativ më i shpejtë. Dua të theksoj që 9 ditë pas operacionit, në rastin e pacientes së pare, unë pata mundësi të takohem me të dhe bashkëshortin e saj në kafe,” tregon duke qeshur dr.Fagu.
Kjo teknikë arrin të shmang shumë efekte anësore shpjegon Dr. Albi Fagu.
“Përdorimi I kësaj teknike bën që përqindja e komplikacioneve siç janë infeksionet apo instabiliteti I kockës së kraharorit të ulet nga 3-5% në nën 1%, shkon diku 0,4%-0,5%. Ndërkohë evitimi i përdorimit të aparatit të qarkullimit jashtë-trupor ul efektet anësore, ku më kryesori është një dëmtim i trurit i cili ndodh sipas literaturës në 1,5%-2% të rasteve, dhe kjo ulet në 0,2%-0,3%,” u shpreh Fagu.
Sipas Dr. Fagut, qëllimi është që në të ardhmen e shpejtë të zëvendësohen 70-80% e ndërhyrjeve klasike më këtë teknikë. Për projektin se ardhmes së ekipit shqiptar të mjekëve, atë sëmundjes multivazale, nëse arrihet të realizohet përmes kësaj teknike, atëherë pa frikë klinika e spitalit “Shefqet Ndroqi” apo edhe ajo e QSUT do të rreshtoheshin në 10% të klinikave në botë.
Gazetare: Sonila Mlloja
/RTSH/