E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kirurgu amerikan: Ja pikat e dobëta të Shëndetësisë

 

****

Profesori i Universitetit të Kalifornisë: Rriten të prekurat nga kanceri i gjirit

Eglantina Bardhi

Sektorit shëndetësor nuk i kushtohet vëmendje nga qeveria dhe kjo duket nga niveli i ulët i GDP-së që jepet për këtë sektor. Ndërsa mjekët, janë profesionistë, por u mungojnë pajisje dhe mjete mjekësore duke e vështirësuar punën e tyre. Ky është mendimi i profesorit në Universitetin e Kalifornisë, Ernie Bodai, i cili është edhe Drejtor i Ndërhyrjeve Kirurgjikale në Gjoks në Qendrën “Kaiser Permanente” në Kaliforni. Në një intervistë për “Shekullin” ai shpjegoi sidomos problematikën që lidhet me kancerin e gjirit, fushë të cilën e mbulon dhe po investigon aktualisht në vendet e rajonit.

Nga informacioni që keni, cila mendoni se është problematika kryesore për sistemin tonë shëndetësor?

Kam patur shumë takime me mjekë dhe specialistë të shëndetësisë në Shqipëri, ku kemi diskutuar rreth sistemit shëndetësor. Mund të them që vëmendja që i kushtohet në tërësi si sektor, nuk është sa duhet të jetë. Pra, GDP-ja është goxha e ulët në krahasim me vende të tjera të botës, ku varion nga 6 deri në 15 për qind të GDP-së vetëm për sektorin e Shëndetësisë ndërkohë që këtu kam dëgjuar se është vetëm 2.4%, shifër kjo tepër e ulët për këtë sektor. Nga diskutimet që kam patur me mjekë shqiptarë, kam kuptuar që janë njerëz të zot dhe duan të bëjnë maksimumin, por janë shumë të kufizuar në mungesat sa i takon pajisjeve dhe materialeve mjekësore.

Sa i takon kancerit të gjirit, fushë të cilën edhe e mbuloni, çfarë mund të na thoni për situatën në Shqipëri?

Një ndër problemet kryesore është që femrat këtu nuk është se falsin dhe marrin informacion sa i takon kancerit të gjirit dhe kjo sidomos në zonat rurale. Kjo është një çështje që nuk është unike vetëm për Shqipërinë, por është një fenomen i përgjithshëm. Mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri është 31 vjeç, me sa kam dëgjuar, që për mua është shokuese në kuptimin pozitiv, sepse 31-vjeçarët në përgjithësi nuk mendojnë ende për sëmundjet. Gjithashtu, kam dëgjuar nga specialistët shqiptarë që numri i rasteve me kancerin e gjirit ka ardhur duke u rritur në mënyrë të vazhdueshme, sidomos në 5 vitet e fundit. Është mirë të bëhet një ndërgjegjësim pasi në vendet në zhvillim, ku futet edhe Shqipëria, kam vënë re që ekziston frika e femrave për të shkuar tek doktori. Jo të gjitha gratë shkojnë të bëjnë kontrolle të rregullta dhe për këtë pasojë shkojnë me shumë vonesë tek mjeku dhe pikërisht në momentin kur nuk mund të bëhet asgjë për t’i shpëtuar. Mund të them se në SHBA, kanceri të gjirit i kushtohet shumë vëmendje dhe nga pikëpamja e fondeve që jepen në shëndetësi, SIDA qëndron e para, ndërsa e dyta qëndron Kanceri i Gjirit. Këto fonde i kushtohen sidomos punës kërkimore.

Po në Shqipëri, sa mendoni se realizohet puna kërkimore për kancerin e gjirit?

Nuk mund të gjykoj për punën kërkimore. Kam takuar mjekët dhe kam bërë edhe vizitë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” dhe mund të them se disa prej mjekëve që takova, nga pikëpamja profesionale dhe intelektuale, do t’i bënin shumë mjekë në SHBA të dukeshin të niveleve të ulëta, aq shuma sa jam impresionuar nga aftësitë e tyre. Po ta krahasosh punën e mjekëve që bëhet në SHBA me ato fonde që marrin, me punën që bëjnë mjekët këtu në Shqipëri, me ato pak para që marrin, mund të themi se ata po bëjnë mrekulli.

Ndërgjegjësimi, kanceri i gjirit me pullë

Misioni i udhëtimit në rajon është ndërgjegjësimi për pullën për kancerin e gjirit. Kështu u shpreh profesori në Universitetin e Kalifornisë, Ernie Bodai, i cili është edhe Drejtor i Ndërhyrjeve Kirurgjikale në Gjoks në Qendrën “Kaiser Permanente” në Kaliforni. Sipas tij, në SHBA, shitja e kësaj pulle ka arritur të sigurojë 65 milionë dollarë, që shkojnë vetëm për të luftuar kancerin e gjirit. “Gjithë vendet që kam vizituar, jam munduar që të përfshihen sa më shumë në përdorimin e pullës, për të ngritur fonde, dha paratë që nxirren nga shitja e pullës i mbeten vendit”,- pohon doktor Bodai, duke shtuar se Kosova ka rënë dakord që së shpejti ta pranojë dhe se edhe Shqipëria nuk do të përjashtohet nga kjo nismë. Sipas tij, çdo vend mund ta ketë pullën në variantet që dëshiron, por pa e prishur imazhin e pullës fillestares. “Ky është një mekanizëm i mirë për të financuar qoftë punën kërkimore, qoftë mjetet mjekësore”, - pohon Bodai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›