Kisha 800-vjeçare e Shën Stefanit drejt rrënimit
Kisha 800-vjeçare e Shën Stefanit, që ndodhet midis fshatit Blinisht dhe Gjadër të qytetit të Lezhës, është drejt rrënimit. Rrënojat e kësaj kishe që i përkasin shekullit XII janë shpallur monument kulture nga shteti që në vitin 1984. Por vetëm pak ditë më parë muret e saj janë dëmtuar dhe një ndër shkaqet e fundit është prerja e një peme pranë rrënojave, por shkaku kryesor është fakti se këto rrënoja gjenden aktualisht mes varrezave të fshatit dhe se rrënojat e kësaj kishe janë dëmtuar rëndë, sepse në to janë zhvilluar gërmime herë pas here që kanë shkaktuar rrëzimin e mureve anësore. Një fakt ende më i rëndë ka të bëjë me faktin se nga gërmimet kanë dalë në sipërfaqe eshtra të njerëzve që janë varrosur ndër shekuj pranë kësaj kishe shumë të vjetër në Shqipëri. Kjo ndërhyrje ka sjellë rrëzimin e një pjese të murit të saj që qëndronte në këmbë prej 8 shekujsh. Kanë qenë vetë banorët e zonës përreth që kanë lajmëruar autoritetet për rrënimin ditë pas dite të kishës 800-vjeçare.