E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, dëmtohet kisha 800-vjeçare e Shën Stefanit

LEZHE- Kisha 800-vjeçare e Shën Stefanit në Blinisht të Lezhës është dëmtuar rëndë. Rrënojat e saj i përkasin shekullit të XII ndërsa objekti është shpallur monument kulture nga shteti që në vitin 1984. Së fundmi është vënë re se muret e saj janë dëmtuar ndjeshëm. Një ndër shkaqet ka të bëjë me prerjen e një peme pranë tyre por jo vetëm kaq. Të gjendura mes varrezave të fshatit, rrënojat e kësaj kishe janë dëmtuar rëndë sepse në to janë zhvilluar gërmime që kanë shkaktuar rrëzimin e mureve. Një fakt, ende më i rëndë ka të bëjë me faktin e nga gërmimet kanë dalë në sipërfaqe eshtra të njerëzve që janë varrosur ndër shekuj pranë kësaj kishe shumë të vjetër në Shqipëri. Ende nuk dihet se kush i ka kryer këto punime dhe as se kush ka prerë pemët dhe hequr bimësinë në muret e kishës. Kjo ndërhyrje ka sjellë rrëzimin e një pjese të murit të saj që qëndronte në këmbë prej 8 shekujsh. Konstatimi i dëmtimit është bërë nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar edhe autoritetet.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›