Inis Gjoni: Pesë femra në kërkim të mashkullit ideal
Pesë gra që e shohin qenësinë e tyre në këndvështrime të ndryshme. Një nënë 60 vjeçe (rol që interpretohet nga Hajrie Rondo), e ve, jeta e së cilës vërtitet rreth lumturisë së të bijës. Vajza e saj 30-vjeçare në kërkim të dashurisë dhe njeriut ideal. Një tjetër 30-vjeçare, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, që përjeton tradhtinë e bashkëshortit. Më tej një tjetër 30-vjeçare që e gëzon jetën në mënyrën më të lirë të mundshme. Që hidhet sa në krahët e një lidhjeje te një tjetër, por që mëmësia e vë përballë një fati të pashmangshëm… dhe një 22-vjeçare që dëshiron të marrë nga rinia e saj më të mirën, pa e vrarë mendjen për cilësinë e lidhjeve sentimentale që krijon. Janë këto histori njerëzore që ndërthuren në komedinë “Salla e banjës” e autores Astrid Veillon, që do të vijë në datën 8 Mars, nën regjinë e regjisores Inis Gjoni. Është zgjedhur pikërisht data 8 mars, dita e femrës, çka e simbolizon jo pak edhe veprën në fjalë. Luluja është personazhi kryesor i kësaj vepre, por po kaq të rëndësishëm janë edhe personazhet e tjera dhe historitë e tyre. Ngjarja zhvillohet në ditët e sotme. Lolu është një vajzë e cila mbush 30 vjeç. Ajo ka vendosur ta festojë ditëlindjen me miket e saj më të ngushta, por dhe me shoqërinë e saj të zgjeruar. Pikërisht në ditën e ditëlindjes nisin dhe zbulohen të thënat apo dhe pak të thënat e 4 shoqeve të ngushta në raportet e vërteta të tyre me meshkujt. Ndërsa festa nis në shtëpinë e Lolus, hapësira më intime për vajzat bëhet banjoja, ku 4 mikeshat nisin të flasin, të zbulojnë dhe të sqarojnë jetët e tyre sentimentale. Lolua është një vajzë që ka frikë të krijojë një lidhje të qëndrueshme. Ajo duket se është duke pritur princin e kaltër. Ndërsa Maria është nëna e dy fëmijëve, bashkëshorte e devotshme, e vetmja ndër shoqet që është e martuar, por e pakënaqur nga martesa e saj, gjithmonë e më shumë ajo ndihet e parealizuar si femër, monotonia ka mbërthyer jetën e saj e cila tashmë ndien zili për shoqet, të cilat janë të lira të jetojnë jetën e tyre. Enxhi, një vajzë shumë simpatike, por dhe shumë feministe, pak mashkullore në qëndrimin e saj, sikur kërkon të mbrojë vetveten nga ambienti që e rrethon. Ajo është beqare, pasi siç thotë dhe vetë “nuk kam gjetur ende një mashkull që të më bëjë të ndihem e dashuruar”. Koko, një tjetër mikeshë e vajzave, më e reja nga shoqet e saj, vetëm 20 vjeç. Është tepër e përkëdhelur, por që deluzionin nga meshkujt ajo e ka prekur shumë herët, pasi në pjesën më të madhe asaj i është dashur të lidhet me burra të martuar dhe për këtë zgjedhje ia vë fajin meshkujve. Midis tyre është dhe mamaja e Lolusë, e cila nuk pajtohet me mënyrën sesi kjo rini e shikon dhe e kërkon të ardhmen. Ajo gjendet në një merak të vazhdueshëm për të ardhmen e vajzës së saj. Në këtë atmosferë festive në dukje nisin dhe shfaqen shqetësimet, dëshirat, përpjekjet, kontradiktat, zhgënjimet e fshehta shpirtërore, tradhtitë dhe humbjet nga mosvendimet në kohën e duhur. Të gjitha këto orvatje vijnë si përpjekje për të gjetur bashkëshortin ideal dhe babain e duhur të fëmijëve.
Inis, kjo shfaqje vë përballë disa gra në “luftën” e tyre të gjetjes së bashkëshortit ideal. Mos gjetja e tij është shqetësimi i tyre…?
Në fakt, më tepër sesa me realitetin që i rrethon, këto femra konfliktin kryesor e kanë me vetveten. Konfuzioni është pjesë e rrugës së tyre, e cila me sa duket ka ardhur si rezultat i zhgënjimeve të një pas njëshme që ato kanë patur në raportet e tyre shpirtërore, gjë që i bën ato të ndihen konfuze, të frikësuara për të hedhur hapa deciziv në jetën e tyre. Dialogët gjatë kësaj mbrëmjeje festive përshkallëzojnë aq shpejt sa shumë thashetheme ngrihen e shumë sheshohen, shumë marrëdhënie qartësohen dhe shumë vendime merren. Duket se në fund gjërat shkojnë në vendin e vet qoftë dhe në kthjellimin e mendimeve, por në fund të fundit ato vazhdojnë të njëjtën rrjedhë të jetës së tyre. E gjithë kjo atmosferë e parë nga jashtë është shumë gazmore. Në të vërtetë ato vuajnë hallin e tyre,por gjuha dhe dialogu që autorja e veprës ka vendosur sjell një humor të hollë dhe deri diku therës.
Çfarë ju ka tërhequr ju si regjisore te kjo vepër?
Ajo që është tepër e veçantë te kjo vepër është realiteti dhe aktualiteti i psikologjisë femërore i këtij shekulli që jetojmë. Autorja me shumë realizëm dhe me një përshkrim artistik ka ngritur në këtë komedi dramën dilematike të femrës sot, midis dëshirës për pavarësi të plotë dhe dëshirës së instinktit njerëzor për familjen dhe riprodhimit të jetës, atë të mëmësisë. Në këtë komedi autorja me shumë zgjuarsi ka zgjedhur 5 femra, duke na dhënë mundësinë ta shikojmë dhe të njohim psikologjinë e gruas në 360 gradë, duke zbuluar ndjenjat e fshehta të grave. Kjo është një komedi që çdo femër duhet ta shikojë dhe çdo mashkull ta studiojë.
Është quajtur një komedi intimiste, përse?
Në qendër të kësaj komedie është femra dhe gjithë orvatjet e saj për të qenë e dashuruar. Pesë karaktere të ndryshme femrash na sjellin një larmi nuancash jetësore, ndjesish dhe psikologjish, duke na dhënë një tablo të qartë të universit femëror. Duket se çdonjëra prej tyre gradualisht nisin të na paraqiten si një libër i hapur për publikun botën e tyre femërore. Ndaj, në këtë komedi intimiste çdo femër do të gjejë diçka nga vetja. Kjo vepër është shumë aktuale jo vetëm për nga problematika që ajo trajton, por nga ana tjetër është kjo komedia bashkëkohore që lëvrohet sot në botë, duke folur haptas për problemet intime shpirtërore me një ndjeshmëri, naivitet dhe sinqeritet që na tregon botën reale ku jetojmë.
Regjisorja
Regjisorja Gjoni vjen në këtë komedi pas suksesit të saj me monodramën “Vdekja e mbretëreshës”. Në komedinë “Salla e banjës” ajo ka sjellë aktoren e mirënjohur Hajrie Rondo, si dhe aktoret Marsela Lena, Klea Konomi, Klara Shehu dhe Neida Saliasi. Producente e shfaqjes është regjisorja Julia Sinanaj. Premiera e komedisë, e krahasuar si një format “Sex and the city”, do të jetë më datë 8 Mars.
Autorja për veprën
Autorja Astrid Veillon në komedinë “Salla e banjes” flet për momentet që kalon një femër rreth të 30-ve. Ajo tregon në detaje problemet intime të femrave me meshkujt dhe ndjesitë shpirtërore të tyre. Siç shprehet dhe ajo vetë në një intervistë, “personazhin e Lolus e kam shkruajtur duke menduar për veten. Frika për të krijuar një relacion të qëndrueshëm më dukej se do të më largonte nga karriera dhe nga vetvetja, do të më largonte nga ajo pavarësi për të cilën femra kishte shumë vite që luftonte”.