E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kisha Ortodokse serbe, fatkeqësia shekullore e Ballkanit!

06-11-2011 / Nga Prof.dr.Mehdi Hyseni (Bota Sot)

Nuk do të duhej të kishte kurrfarë integrimi të Serbisë në Evropë, derisa ajo të mos hiqte dorë nga pretendimet territoriale dhe nga politika e saj e vjetër kolonialiste dhe neokolonialiste ndaj territoreve etnike shqiptare, siç janë Veriu i Kosovës, si dhe Presheva, Bujanoci e Medvegja. Ndryshe, do të jetë i pashmangshëm roli mbizotërues i Serbisë në Ballkan, pavarësisht nga tiradat dhe nga “paradat” e vetëkënaqësisë së “politikës faktorizuese” të Tiranës dhe të Prishtinës në rajon. Prof.dr. Vesna Peshiq (oponente e ashpër e politikës së regjimit fashizoid të Slobodan Milosheviqit) thotë: “Në Serbi dominon një kishë tejet retrograde, siç është vetë Kisha Ortodokse Serbe. Ajo qe 600 vjet nuk e ka thënë asnjë fjalë të re. Prandaj, duhet ta forcojmë ateizmin në shoqëri, m’u për shkak të dominimit të kishës, e cila është aq konservative saqë nuk po na lejon të marrim frymë”.
-Absolutisht, nuk ka asnjë dilemë se Vesna Peshiq ka të drejtë në gjykimin e saj kritik të qëndrueshëm, që Kishën Ortodokse Serbe (KOS) e ka cilësuar “retrograde”, “dominuese” dhe “konservatore”, e cila vërtet 600 vjet rresht nuk ka pësuar kurrfarë evoluimi progresiv, por e ka ngulfatur shoqërinë serbe në kuptimin regresiv, si dhe në vijimësi Ballkanin e ka mbajtur nën ethe konfliktesh dhe luftërash të përgjakshme, vetëm për vetëm që Serbia e Madhe të dominojë mbi si “superfuqi ballkanike” mbi popujt fqinjë në rajon.
Në saje të gënjeshtrave, të falsifikimeve dhe të intrigave politike me përmbajtje ekspansioniste, kolonialiste, hegjemoniste dhe imperialiste të Kishës Ortodokse Serbe në kurriz të shqiptarëve dhe të territoreve të tyre indigjene etnike, Serbia e ndoqi në vijimësi, që nga pavarësimi i saj në vitin 1878, dhe më pas, që nga vjeshta e vitit 1912 dhe, edhe sot nuk e ka braktisur, si të tillë. Fatkeqësisht, këtë e provuan edhe tri luftërat pushtuese gjenocidale të Serbisë kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1990-1999), si dhe sundimi kolonial i saj mbi Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, që historikisht i përkasin Shqipërisë Etnike, jo Serbisë. Gjithashtu, edhe statusi 12-vjeçar i territorit verior të Kosovës, duke përfshirë edhe gjysmën e qytetit të Mitrovicës mbi lumin Ibër, sheshit provon se Beogradi i Karagjorgjeviqëve, i Rankoviqëve, i Milosheviqëve, i Sheshelëve, i Tadiqëve e i Jeremiqëve, së bashku me Kishën Otodokse Serbe dhe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë (të bazuar jo vetëm në “Naçertanijen” e Garashaninit, në elaboratet famëkëqija antishqiptare të Vasa Qubriloviqit dhe të Ivo Andriqit... etj., por edhe në Memorandumin e vitit 1996 të ASHA të Serbisë), nuk kanë hequr dorë nga pretendimet dhe nga ambiciet territoriale ndaj territoreve shqiptare (Kosovës dhe Shqipërisë).
Duke shikuar retrospektivën historike të Serbisë, del qartë se Kisha Ortodokse Serbe ishte ajo që e formoi Serbinë. Ky është shkaku kryesor pse KOS-i luan rolin kryesor politik në organet dhe në institucionet shtetërore të Serbisë, edhe pse kjo sipas statusit të saj nuk është kurrfarë subjekti politik, por vetëm institucion fetar. Pavarësisht nga ky fakt, Kisha Ortodokse Serbe (dikur dhe sot) njihet për rolin e saj kakofonik dhe simfonik në bërjen dhe në marrjen e vendimeve politike të shtetit të Serbisë. Pikërisht, këtu qëndron fatkeqësia, sepse politika shtetërore serbe i ka “duart e lidhura” në veprimet e saj qoftë në kuptimin e brendshëm apo të jashtëm. Mirëpo, derisa Kisha Ortodokse Serbe ta ketë fjalën kryesore në politikëbërjen e Serbisë, as ajo e as serbët, nuk mund të lirohen nga Paranoja Kolektive për pushtimin e territoreve shqiptare. Këtë konstatim tonin e ilustron edhe ky konkluzion i ish-ambasadores serbe në Meksikë, Vesna Peshiq, kur thotë:“Gjendja e tanishme e vështirë, që po mbretëron në Serbi, po mbahet në saje të ndihmës së Kishës Ortodokse Serbe. Mirëpo, Serbia në këtë nuk ka kurrfarë interesi real, sepse qytetarët e saj po vdesin nga mjerimi. Fjala është për obsesionin e territoreve, që është ngulitur në Kishën Ortodokse Serbe. Kështu që, si rrjedhim, idetë nacionaliste janë një sëmundje e vështirë për t’u shëruar”.
BE-ja, NATO-ja dhe Amerika ta neutralizojnë rolin e politikës së kishës serbe në Ballkan!/Rolin negativ dhe të rrezikshëm politik të Kishës Ortodokse Serbe, që kërcënon qetësinë, paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, atribute këto, që janë të lidhura ngushtë me sigurinë dhe me paqen e Evropës, Bashkimi Evropian (BE), NATO dhe Amerika demokratike duhet ta mbajnë parasysh, në mënyrë që të parandalojnë çdo veprim dhe sjellje ndërhyrëse destruktive politike të Kishës Ortodokse Serbe në çështjet e brendshme të vendeve në rajon. Për të shpëtuar Veriun e Kosovës, së këndejmi edhe sigurinë dhe paqen në Ballkan, është e domosdoshme që BE-ja ta kushtëzojë Serbinë, që ajo paraprakisht ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur e sovran, e pastaj të fillojë procedurën ligjore të kandidimit të saj për të aderuar në BE.
Pra, me gjithë përpjekjet, angazhimin dhe kontributin e deritashëm njëzetvjeçar të Bashkimit Evropian, të Amerikës dhe të NATO-s, që t’i shpëtojnë popujt e Ballkanit nga armiqësitë dhe nga recidivat e luftërave të dikurshme të përgjakshme ballkanike (1912 dhe 1913), Serbia, edhe sot, për shkak të ndërhyrjes politike të Kishës Ortodokse Serbe, gjendet shumë larg dyerve integruese të BE-së ngase, edhe sipas vlerësimit të Vesna Peshiqit: “Serbia ende nuk e ka zgjidhur përfundimisht çështjen e kufijve të saj. Vetëm kur Serbia do ta ketë mbyllur çështjen e kufijve, si dhe pasi të triumfojë mbi nacionalizmin serb, atëherë mund të llogaritë të hyjë në BE”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›