S’ka “Ahtisaari Plus”, vetëm “Ahtisaari”
Ishte disi e çuditshme deklarata e Piter Faith, Kryeadministratori i OKB-së për Kosovën, e shqiptuar aty nga mesi i shtatorit, dhe e përhapur nga mediat, për një “Ahtisaari Plus”, e bashkëshoqëruar kjo deklaratë me përmendjen e modelit të radhës, kësaj here atij katalanas, të Spanjës. Kurse, këtë fillim nëntori, me “Ahtisaari Plus” u riciklua edhe Beogradi.
Sa për emra modelesh, Beogradi dhe Kisha Ortodokse Serbe, mund të mbushin një libër. Ata i kanë kërkuar dhe përputhur ngjashmëritë, që me Tajvanin e sotëm e me Gjermanitë e dikurshme; që me Jeruzalemin historik e me Katalonjën e ditës; që me pushtimin rus në Gjeorgji (Ah, sikur të mundnim ashtu edhe ne?! - guxojnë të mendojnë politikanë e priftërinj të lartë serbë) e me asgjësimin e shqiptarëve nga dheu i tyre, siç bënë paraardhësit politikë të Beogradit. Kjo nuk është, fare e hiç, habi për shqiptarët, por falë vizionit të mençur për të ardhmen, të Uashingtonit dhe të Brukselit, që ndërprenë marrëzinë serbe dhe, që nga çlirimi i Kosovës me luftë e deri te sjellja e dhunshme serbe në veri, të gjitha vitet e lirisë janë vërtetim bindës, historik e natyror, se Kosova nuk është Serbi e nuk duhet të mbetej nën Serbi, por vetëm në fqinjësi me të, dy popuj të ndryshëm në dy shtete mëvehte, siç edhe janë. Kirurgjia shpëtuese, për shqiptarët po e po, por as më pak dhe për serbët, është një plagë që, Beogradi e përgjak përditë, enkas për të mos zënë dregëz, të mos shërohet as nga koha, t’i mbesë dhimbja e të mos i zhduket shenja e prerjes së domosdoshme, me mendjen për rikthim.
Ide të modifikuara, me erë të keqe si ujë i ndenjur, siç është emërtimi “Ahtisaari Plus” bëhen edhe më të dëmshme, kur përdoren për të gatuar baltë në udhën për demokraci e zhvillim të Kosovës. Shteti i Kosovës është fëmijë i popullit të vet dhe populli i Kosovës nuk është birësim i shtetit të Serbisë. Përzierja, e fqinjëve a mysafirëve, me paraqitje listash emëror të llojllojshme, për pagëzime në “gjendjen civile ndërkombëtare”, përveçse është e padrejtë, bëhet shumë nervozuese në shtëpinë ku ka ndodhur lindja. Pavarësia e Kosovës si domosdoshmëri dhe Plani Ahtisaari realisht vendosës i zgjidhjes, nuk përbëjnë teprim, domethënë, dhënie shqiptarëve më tepër nga sa meritojnë, të cilët, pas kaq vitesh pranimi pa kushte, zbatimi me durimi të pashoq, shohin Beogradin dhe rrotull tij të shtrembërojnë me “Ahtisaari Plus”, duke e hedhur si gur në lumë, ndërsa të mençurit mundohen ta nxjerrin. Durimi i matur shqiptar dhe prapësitë serbe, edhe pas kaq shumë vitesh, mbeten dy politika në përplasje: “Ahtisaari Plus” është barrikadë politike që vihet në rrugën e shtetit të Kosovës, njëkohësisht me barrikada e trungjeve në veri, për të kryer de facto fillimin e ndarjes së territorit, për t’u pasuar pastaj me bisedime të detyruara për ndarje. “Ahtisaari Plus”, kur shqiptohet nga jo serbë, sikur merr edhe domethënie të të thënit troç: Shqiptarë, rrinë urtë, se keni marrë tepër!
Kjo është koha e zhurmimit politik e kryeneç të Beogadit, që duhet të heshtet nga forca e politikës perëndimore, siç ajo e heshti me luftë politikën e njëjtë të paraardhësve që qeverisnin Serbinë. Pavarësia është kompromisi më skajor i shqiptarëve dhe Plani Ahtisaari përbën një zgjidhje të pranuar prej tyre, në të cilin serbët nuk marrin aspak më pak se shqiptarët dhe, pikërisht nga dhënia e të drejtave maksimale një pakice mëse pakicë, kjo zgjidhje përbën njëshin në llojin e vet e që nuk i gjindet dyshi në kontinent.
Veriu i Mitrovicës ka aq pak popull dhe aq pak territor sa, “Ahtisaari Plus” shpreh qartësisht interes të drejtpërdrejtë për Nëndheun (mineralet) e nuk vritet mendja për Mbidheun (njerëzit), sepse populli i paktë e i shpërndarë atje, nuk formon dot as një qytet të vogël, nëse do të mblidhej bashkë. Pako Ahtisaari është vetëm Plani Ahtisaari, siç është shprehur edhe njeriu që i dha emrin e vet zgjidhjes. Nëse Beogradi e të tjerë kërkojnë “ Plus”, përse Prishtina e të tjerë nuk paskan të drejtë të kërkojnë “Ahtisaari Minus”? Trysnia e Serbisë, me pakicën e koncentruar qëllimshëm e në mënyrë të panatyrshme, në veri të Mitrovicës, përbën konfrontim real me dy milionë shqiptarë dhe fuqinë e KFOR-it. Ajo e ka të domosdoshme t’i thuhet prerë: Mjaft, se e ke tepruar! Serbët e paktë, në detin numerik të shqiptarëve, kanë përfituar nga Plani Ahtisaari aq sa, “Ahtisaari Plus” është një fakt i kryer, vetëm i paemërtuar si i tillë, duke krijuar një model për të tjerë, dhe aspak thirrje modelesh të tjera për Kosovën. Të gjitha modelet e cituara apo të numërura për rishikim të zgjidhjes, mbeten shumë - shumë pas Planit Ahtisari, përveç synimit të Serbisë për ndarje e shpërbërje të shtetit të ri.
Beogradi ka theksuar që “Serbia nuk do të bëj atë që s’mundet”. Por , ajo që Serbia mundet, është të shohë hartën, të këqyrë realitetin në terren dhe të numërojë njohjet nga lind e tek perëndon dielli - që të tria nuk lënë shpresa për sundim e shfrytëzim kolonialist të shtetit fqinj. Ndoshta, në përgjigje të kësaj politike, se “Serbia nuk do të bëjë atë që s’mundet”, qendra të rëndësishme vendimarrëse perëndimore, kanë përsëritur që, Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, duke shquar që “ ne nuk kërkojmë që Serbia të njohë Kosovën”. Kjo frazë, aspak ose pak, është shqyrtuar nëpër analiza, por veçanërisht është shumë e rëndësishme të përpunohet në laboratorin politik të Beogradit, për të “nxjerrë floririn” prej saj. Mosdetyrimi perëndimor ndaj Serbisë mbart dy domethënie të qarta: së pari, gjendja politike atje ende nuk përbën një klimë për të kultivuar e rritur “bimën” e njohjes” së pavarësisë; por, kuptimi i dytë i frazës është i ashpër: perëndimi euro-atlantik, duke thënë “ne nuk kërkojmë që Serbia të njohë Kosovën”, njëherësh i thotë Beogradit, në daç njihe, në daç mos e njih, Kosova është shtet dhe, Perëndimi ka përfunduar punë me këtë problem.
Kur s’është koha t’i kërkohet Serbisë të njohë Kosovën, është koha të detyrohet ajo të bëjë çfarë duhet: të ndërpresë ndërhyrjen e shëmtuar në territorin dhe jetën kushtetuese të shtetit fqinj; të shkatërrojë pushtetin paralel serb; të njohë tri realitete në terren: 1. Kosova është shtet dhe me këtë shtet Serbia po bisedon 2. Atje ka përfunduar pushtimi dhe kolonializmi 3. Serbia okupuese është kthyer në territorin e vet dhe duhet të shohë kah perëndimi, me tjetër sjellje, edhe ndaj Kosovës, edhe ndaj Brukselit.
Ata që kërkojnë modele apo shpikin modele për Kosovën, ajo ka të drejtë t’i ballafaqojë ata me diçka tjetër - gjigande dhe ngjitur me Serbinë: shqiptarët, aq të shumtë në trojet e veta në Maqedoni, kompakt në territor dhe të përmbajtur në veprime, a nuk do të mund të silleshin lehtësisht për të huazuar “Ahtisaari Plus”, që të shpallnin “Jarinjën” e “Bërnjakun” e tyre dhe të hidhnin zhavorr e beton barrikadash në “Urën e Ibrit” me emrin Vardar, mespërmes Shkupit si midis Mitrovicës? Kjo nuk po thuhet për një kontinent të largët, por për republikën me të cilën ajo ka qenë brenda një federatë. Serbia, a nuk e sheh dhe nuk e kupton këtë? Sidomos Serbia nuk duhet të bëjë sikur shqiptarët dhe aleatët e tyre nuk e dinë dhe nuk e shohin.