Kisha meksikane kërkon ndjesë për aktet e pedofilisë
Pas skandaleve të mëdha me aktet e pedofilisë disa nga kishat në mbarë botën po ndërmarrin hapa për t'u kërkuar falje viktimave të qindra abuzimeve që janë kryer.
Peshkopët e Kishës Katolike meksikane u kanë kërkuar falje publike të gjithë viktimave, pre e abuzimeve seksuale prej klerikëve vendas.
"U kërkojmë falje të gjithë personave të cilët kanë qënë viktima të abuzimeve nga ana e klerikëve të pandershëm", deklaroi kreu i Konferencës epishkopale meksikane Viktor Rene Rodriguez. Në Meksikë janë zbardhur disa raste të abuzimeve seksuale nga ana e klerikëve, megjithatë Rodriguez deklaroi se në të shkuarën kisha meksikane nuk ka qënë e përgatitur për të denoncuar aktet e pedofilisë klerike.
Kisha meksikane nuk është e vetmja kishë e cila kërkon ndjesë për aktet e saj të turpshme ndaj besimtarëve të vegjël. Në Austri , klerikët e Vienës para dy javësh mbajtën një meshë për nder të viktimave të abuzuara nga anëtarët e kishës së Vienës. Gjithashtu në këtë meshë morën pjesë shumë prej të abuzuarve nga kleri vendas.