E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi-Medvedev, qendrimet pro dhe kundra për sanksionet ndaj Iranit



Irani ka qenë një nga pikat më të nxehta në debatin që është kryer gjatë samitit anti-bërthamor i cili u mbajt në Uashington. Presidenti rus Dmitri Medvedev ka kërkuar që sanksionet e mundshme ndaj Iranit të mos ndëshkojnë popullin iranian.
"Sanksionet kundër Iranit për programin e tij bërthamor nuk duhet të ndëshkojnë popullin iranian", është shprehur Medvedev në përfundim të samitit të Uashingtonit.
Më tej kreu i Kremlinit ka përshëndetur përmirësimin e klimës së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, si dhe e ka cilësuar samitin si mjaft të suksesshëm. Gjithashtu Medvedev ka përshendetur edhe vendimin e Ukrainës për eliminimin e armatimeve bërthamore deri në vitin 2012.
Ndërsa qëndrimi i Sarkozisë përsa i përket ka qenë komplet i ndryshëm. Zyrtari më i lartë francez ka qenë tepër i ashpër me qëndrimin e Iranit. Presidenti francez është shprehur se muaji maj do të jetë afati më i fundit për vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit. Sarkozi u shpreh se këto sanksione janë tepër të domosdoshme për t'u aplikuar duke parë edhe qëndrimin jo dialogues të Iranit në lidhje me pasurimin e uraniumit dhe programin bërthamor që ai po zhvillon.
"Janë krye shumë përpjekja nga shumë lider botërorë për të bindur Iranin që të lejohet një kontroll më i thelluar për programin e tij bërthamor. Por Irani nuk është treguar në shumë raste bashkëpunues. Si kryeministri turk Erdogan edhe presidenti Lula janë përpjekur për të bindur elitën politike iraniane për të qenë më shumë bashkëpunuese, por të gjitha tentativat diplomatike kanë qenë një humbje kohe."- është shprehur presidenti francez. Në fund të deklaratës së tij Sarkozi u shpreh optimist se OKB-ja do të ishte dakort për zbatimin e sanksioneve ndaj Iranit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›