E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kisha ortodokse kundër ruajtjes nga policia e Kosovës

Kisha Ortodokse nuk pajtohet me vendimin e KFOR-it. Ndërkohë, nuk dihet se kur Policia do t’i ruajë Manastirin e Deçanit dhe Patrikanën e Pejës, dy nga monumentet që vlerësohen si më të rëndësishmet nga komuniteti serb.

Ndërkohë, vendimi i KFOR-it, që policia ta ruajë Manastirin e Graçanicës ka ngjallur reagime të ashpra të Kishës Ortodokse Serbe, e cila përmes përfaqësuesve të saj thotë se një vendim i tillë do ta cenojë sigurinë e objekteve të shenjta në Kosovë.

Peshkopi Teodosie përmes një komunikate për media, thotë se, as kisha dhe as populli serb, nuk i beson Policisë së Kosovës. Ai sqaron se vendimi i KFOR-it është marrë pa pajtimin e Kishës Ortodokse Serbe.

Teodosije thekson se me këtë vendim dërgohet, siç thotë ai, porosi shumë negative, para së gjithash për popullin serb, “dekurajohet kthimi dhe i vihet vulë spastrimit etknik të popullit serb”.

Por, kjo nuk do ta ndalojë KFOR-in që t’i transferojë përgjegjësitë për tri monumentet tjera të mbetura.

“Këshilli Veri-Atlantik ka vendosur që t’i largojë trupat nga këto katër manastire. Ky vendim është marrë në korrik dhe ne do ta bëjmë këtë me Manastirin e parë në Graçanicë”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Majkëll Koting.

Sipas Planit të Ahtisarit, në periudhën kalimtare KFOR-i ruan manastiret kryesore dhe monumentet memoriale. Policia e Kosovës tashmë ka marrë përsipër ruajtjen e Monumentit të Gazimestanit dhe të Graçanicës.

Ndërkohë, ende nuk është vendosur se kur do të barten përgjegjësitë për Mnastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës, Manastirin e Akrangjelit të Shenjtë dhe të Deviçit.

Ministri i Kulturës, Lutfi Haziri, dikasteri i të cilit është përgjegjës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare, vlerëson lart kalimin e përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës Në anën tjetër, Zyra Civile Ndërkombëtare ka vlerësuar se Policia e Kosovës tashmë është e aftë për të ruajtur monumentet e trashëgimisë kulturore e fetare. “Ne, si ICO, ndajmë besimin me KFOR-in se Policia e Kosovës është e aftë që ta ndërmarrë këtë detyrë të re. është detyrë e rëndësishme për policinë”, deklaron zëdhënësi i ICO-së, Kai Muller Berner.

Ndryshe, insittucionet e Kosovës nuk kanë kontakte direkte me Kishën Ortodokse Serbe. Edhe gjatë renovimit të kishave të dëmtuara gjatë vitit 2004, qenë paraqitur probleme për shkak të moskomunikimit.

Aktualisht, ambasadori grek në Kosovë, po vepron si lehtësues i bisedimeve mes dy palëve./Rel/start/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›