E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kjo është Interevropa

Interevropa ka një muaj që është bërë kompania më e njohur dhe më e përfolur në Kosovë. Namin, kësaj kompanie ia rritën hetimet e EULEX`it për keqpërdorim në tenderët për asfaltimin e rrugëve. Më parë, rrallëkush kishte dëgjuar se një pompë benzine, një hotel dhe makineria e rëndë për ndërtimin e rrugëve, që bartin logon e Interevropës, gjenden në të dalë të qytetit të Gjilanit, rrugës për Ferizaj.

Por, asnjë nga përgjegjësit e kësaj kompanie, nuk ishin të gatshëm t`u shpjegojnë mediave historikun e kësaj kompanie. Të vetmit janë punëtorët, që aty-këtu, me drojë lëshojnë ndonjë fjalë për biznesin në të cilin ata punojnë. Në anën tjetër, drejtuesit e Kuvendit Komunal të Gjilanit s`përtojnë fare që këtë kompani ta rangojnë në nivelin e pa denjë për t`ia besuar ndonjë tender.

Nexhat Shabani, ndër punëtorët më të vjetër në këtë ndërmarrje, thotë se Interevropa është e njohur për punën e saj të pastër, pa dallavere.

“Është kompania e parë që i ka sjellë bagerët në Kosovë dhe që nuk i ka borxh asnjë cent tatim shtetit”, pohon Shabani. Ai me mburrje tregon se janë më të mirët në kryerjen e punëve në ndërtimin e rrugëve, por nuk tregon se sa rrugë kanë shtruar deri më tani dhe sa është numri i të punësuarve. E, as cili është qarkullimi i tyre vjetor në këtë resor.

“Numri i të punësuarve ndryshon varësisht prej punëve”.

Sipas Shabanit, tenderi i fundit që ka fituar Interevropa, është një projekt lokal, pak para se pronari i kompanisë, Mehmet Shkodra, të humbiste jetën në aksidentin që pati ndodhur në Austri.

“Projekti është duke u punuar, por është ndërprerë pak për shkak të vdekjes së pronarit”, thotë ai.
Megjithatë, në fletëregjistrimin e biznesit nr. 80035616, profili i kompanisë, e cila është regjistruar në vitin 2007, duket ndryshe. I vetmi aktivitet që lidhet me ndërtim është ndërtimi i lartë dhe i ulët dhe të evidentuar janë vetëm 6 punëtorë.

Aktivitetet e tjera janë pylltaria dhe prerja e drurëve, vendosja e instalimit për ujë, gaz, ngrohje, ventilacion dhe për ftohje, tregtia me shumicë e lëndëve djegëse të ngurta, të lëngëta, të gazta e të produkteve që përfitohen prej tyre, tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara, ku kryesisht shitet ushqimi, pijet dhe duhani, dhe hotelet & motelet me restorant. Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, nuk ka fjalë të mira për këtë kompani. Sipas tij, në shumë tenderë kjo kompani ka dështuar për mungesë të kapaciteteve për kryerjen e punëve të kërkuara.

“Nuk ka pasur kapacitete të mjaftueshme për të kryer punë, as brenda komunës”, ka pohuar Mustafa. Sipas tij, pohimet se Interevropës se është anashkaluar në projekte të rrugëve, nuk qëndrojnë.
Mustafa deklaroi se të gjitha kompanitë në këtë Komunë trajtohen barabar dhe nuk është se kjo kompani nuk ka fituar asnjë tender.
Të gjitha këto çështje, tashmë është duke i hetuar EULEX-i.

Sipas të dhënave në bazë të së cilave po heton EULEX-i, Mehmet Shkodra, pronar i kompanisë Interevropa, i vdekur në një aksident komunikacioni jashtë Kosovës, ka dhënë dëshmi në maj të vitit 2009 se ka marrë pjesë në 176 raste në procedura të tenderimit ta shpallura nga Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit të Kosovës, por asnjëherë nuk ka arritur të fitojë asnjë tender, përkundër faktit që ofertat e tij ishin më të favorshme sesa ato të konkurrentëve të tjerë. Këto të dhëna përmenden në urdhrin për bastisje në Komunën e Gjilanit, të lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, e që e ka publikuar Zyra për informim e Komunës së Gjilanit. Ankesat dhe dëshmitë e EULEX-it, sipas këtij urdhri, u referohen tenderëve specifikë, siç janë - Tenderi për ndërtimin e urave në rrugën M9 Segmenti Fushë-Kosovë-Arllat; Tenderi për mirëmbajtjen verore; Tenderi për Rrethin Prishtinë- Fushë Kosovë dhe Prishtinë – Mitrovicë; Tenderi për rrugën Pogragjë - Dobrosin dhe ai për rrugën Panesh - Zhagovc.

Në bazë të këtyre dëshmive, që po heton EULEX-i, dy të dyshuarit kryesorë në MTPT, lidhur me këtë rast janë ministri Fatmir Limaj dhe shefi i prokurimit, Nexhat Krasniqi, të cilët thuhet se kanë kërkuar ryshfet nga Shkodra.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›