E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në QKU, 452 të vdekur në pesë muaj

Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2010 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë vdekur 340 pacientë.

Bazuar në të dhënat e Qendrës Klinike Universitare për tremujorin e vitit të kaluar, shihet se numri i pacientëve të vdekur është rritur për 20 në tremujorin e parë të këtij viti.

Në tremujorin e parë të vitit 2009, sipas zyrtarëve të QKU-së, 320 pacientë kanë vdekur në klinika të ndryshme të spitalit më të madh publik në vend.

Vetëm në Klinikën e Neurologjisë në muajt janar, shkurt dhe mars të këtij viti kanë vdekur 88 pacientë me sëmundje të natyrës së rëndë.

Përderisa në Klinikën Interne kanë vdekur 70 pacientë, po ashtu me sëmundje të rënda.

Edhe pse numri i vdekjeve nëpër klinikat e QKU-së është rritur në krahasuar me vitin 2009, zyrtarët e QKU-së thonë se numri i vdekjeve nuk është në rritje.

“Marrë në përgjithësi, nuk ka rritje të rasteve të vdekjeve në QKUK, shifrat përafërsisht janë të njëjta, ndërsa ka më shumë raste në klinikat ku natyra e sëmundjeve është më e rëndë, e ku ka goditje në tru si në Neurologji dhe goditje në zemër në Klinikën Interne”, thonë zyrtarë për media në QKU.

Shpend Fazliu, zyrtar për media në QKU, ka thënë se numri i rasteve kur pacientët vdesin në klinikat e QKU-së nuk është i lartë.

Ai për këtë ka dhënë edhe një shpjegim. “Kjo shifër e vdekjeve nuk e është e lartë, duke pasur parasysh faktin se QKUK-ja është qendra e vetme që ofron shërbime shëndetësore të nivelit terciar dhe brenda vitit mjekohen mijëra pacientë me sëmundje nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe sëmundjet e natyrave të rënda”, thotë ai.
Gazeta ka siguruar një raport nga libri i kufomave në morgun e QKU-së për numrin e vdekjeve për muajt mars, prill dhe maj të vitit 2010.

Sipas këtij raporti, vetëm në muajin mars kanë vdekur në klinika të ndryshme të QKU-së 63 pacientë.

Në këtë raport saktësohet se në muajin prill numri i pacientëve të vdekur është rritur duke shkuar kështu në 72, ndërkohë që vetëm në muajin maj kanë vdekur rreth 40 pacientë.

“Vetëm në sallën e lindjes në Gjinekologji në muajin mars kanë vdekur 26 pacientë, 32 në muajin prill dhe 18 në muajin maj”, thuhet në raport.

“Nga ky numër i përgjithshëm, vetëm 4 pacientë janë pranuar në Klinikën e Gjinekologjisë me udhëzim të mjekut”, thuhet në raport.

Nga boksi i fëmijëve vetëm për muajt mars, prill dhe maj kanë vdekur 49 fëmijë, që të gjithë të pranuar pa udhëzim të mjekut dhe të njëjtën kohë asnjërës nga kufomat nuk i është kryer obduksioni.

Në Klinikën e Neonatologjisë kanë vdekur 12 pacientë për tre muajt e lartpërmendur. Edhe në këto raste asnjë trupi të pajetë nuk i është kryer obduksioni.

“Shifrat për numrin e vdekjeve në QKU janë mjaft alarmante, kur dihet se një numër i vdekjeve ndodhin shpeshherë nga papërgjegjësia e mjekëve nëpër klinika të QKU. Skandaloz është edhe mosdërgimi i trupave të pajetë për obduksion ku pas këtij procesi do të dihej saktë se cili ka qenë shkaktari i vdekjes”, thotë një mjek nga QKU-ja, pa dashur t`i përmendet emri në gazetë.

Zyrtarë të QKU-së akuzojnë familjarët e të vdekurve duke rrëfyer se obduksioni nuk i kryhet një të vdekuri, meqë familjarët e tij nuk dëshirojnë një gjë të tillë.

Sipas tyre, të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi për QKU thonë se çdo pacient që vdes, është i obliguar të dërgohet në morg për obduksion.

”Çdo pacient që vdes në klinikat e QKUK-së, drejtohet në morgun e QKUK-së, për t`iu bërë obduksioni dhe për të vërtetuar shkaqet e vdekjes. Në të shumtën e rasteve janë familjarët ata që bëjnë presion dhe nuk lejojnë që familjarëve të tyre t`u bëhet obduksioni, ata i tërheqin kufomat e të afërmeve të tyre, përkundër dëshirës dhe vullnetit të stafit që të bëhet obduksioni”, thotë Shpend Fazliu.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›