E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kjo polici nuk mund të japë siguri zoti Tahiri!

2Nga Bledar Lumani

Të ndihesh i terrorizuar, i traumatizuar, kërcënuar, stresuar dhe zhvleftësuar, është një gjë që të ndodh shpesh nëse jeton në Shqipëri. Madje, duket sikur tashmë njerëzit janë mësuar me këtë gjë dhe nuk u bën më përshtypje.

Dhe, kjo nuk ndodh vetëm prej faktit të një shoqërie shumë agresive dhe në shumicën e saj injorante, por edhe prej qasjes dhe sjelljes së shtetit ndaj qytetarëve të vet.

Dje u ndodha përballë një skene që i përfshinte të gjitha ndjenjat e mësipërme: terrorin, kërcënimin për jetën, injorancën dhe pafuqinë për të vepruar përballë një padrejtësie.

Si jozakonisht, pas kthimit nga puna, vendosa që të ulesha diku në lagje (Yzberisht), poshtë pallatit ku jetoj, së bashku me tim vëlla. Ishim në një qendër lojërash, ku ndodheshin edhe disa të rinj të tjerë.

Në një moment, në sallë hynë disa dhjetëra persona të maskuar, të armatosur dhe me elektrikë dore. Hynë aq vrullshëm, saqë vetëm pas disa sekondash e mora vesh që ishin punonjës policie dhe jo keqbërës.

Ishte një skenë sureale. Në mbështetën pas murit dhe na kontrolluan, duke na kërkuar edhe mjetet e identifikimit. Të maskuar me kapuçë në kokë, me armët drejtuar nga ne, filluan të bënin presion dhe po terrorizonin dhe dy 16-17 vjeçarë sikur të ishin kriminelë, pse ata të shkretët po dridheshin nga frika.

U përpoqa që të sqarohesha me ta, duke u thënë se isha gazetar dhe ajo që po bënin nuk ishte normale. Kjo i irritoi dhe më shumë dhe dy-tre prej tyre më kapën për krahu dhe donin të më çonin në rajonin e policisë, pse nuk kisha mjet identifikimi, edhe pse ndodhesha poshtë shtëpisë sime dhe as që më shkonte në mendje se edhe kur del për kafe tek lagjia, duhet të kesh mjet identifikimi.

Në ato moment vjen shefi i tyre, të cilit punonjësit me maska po i raportonin se kishin ndaluar një të dyshuar, që  nuk kishte mjet identifikimi: mua.

Për fat qëlloi që shefi i tyre ishte një njeri i logjikshëm dhe u sqaruam me qetësi.

Isha terrorizuar, kërcënuar dhe trajtuar si njeri i pavlerë, nga disa njerëz që nuk e dinin as vetë se çfarë kërkonin, edhe pse nuk kisha bërë asgjë dhe thjesht po përpiqesha të kaloja disa momente relaksuese, pas një të hëne të mërzitshme shiu dhe pune.

Ishte një ngjarje që ndodhi fill pas takimit të ministrit të ri të Brendshëm, Saimir Tahiri, me drejtorët e policisë. Dhe, si për të treguar se i kanë marrë seriozisht porositë e tij, ata u hodhën në sulm për të gjetur kriminelët, në mënyrën më jo profesionale dhe brutale të mundshme.

Është e vërtetë që krimi po bën kërdinë, por në asnjë vend normal policia nuk del me maska dhe e armatosur deri në dhëmbë, duke kontrolluar dhe terrorizuar qytetarët që janë në punën dhe qejfin e tyre. Policia dhe institucionet e tjera të drejtësisë, duke përfshirë prokurorinë apo edhe SHIK-un, kanë mekanizmat e tyre të hetimit dhe kanë informacione dhe dosje për të gjithë ata persona që janë dyshuar për veprimtari kriminale. Nuk është e nevojshme që të dalin rrugëve dhe të bëjnë shoë, duke përçuar frikë tek njerëzit.

Liria dhe ndjenja e sigurisë janë gjërat më të rëndësishme në një shtet demokratik. Ka ardhur koha që ato të mos u lihen në dorë ca injorantëve të veshur me uniformën e Policisë së Shtetit, të cilët veçse e kanë njollosur atë gjatë këtyre 23 viteve demokraci. Edhe pse, jam skeptik se kjo gjë nuk do të ndodhë edhe për shumë vite. Nëse do të ndodhë!

Qytetarët presin siguri, ne duhet tu japim siguri. Qytetarët presin të mos ndihen të dobët e të pasigurt, sepse gangsterët dhe të paprekshmit u bëjnë karshillëk, tha ministri i ri, Saimir Tahiri, në fjalimin e tij të parë zyrtar. Por, kjo polici nuk mund të japë siguri zoti Tahiri. Sepse gangësterin dhe të paprekshmin me qytetarin e dobët e bëjnë pikërisht punonjësit e policisë. Ndërsa me gangësterat dhe të fortët, në të shumtën e rasteve deri më sot punonjësit e policisë kanë bërë bashkëpuntorin. Dhe kështu do të vazhdojë të ndodhë, për sa kohë të fortin nuk e bën ligjin.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›