E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më seriozë kur flitet për ndëshkim!

meroNga Mero Baze

Edi Rama është shpesh i dashuruar aq shumë pas batutës, sa për hir të saj mund të shesë gjithë përmbajtjen e një fjalie. Ashtu mu duk se ndodhi dhe të dielën mbasdite në Kuvend, ndërkohë që qeveria mori votëbesimin. Duke qenë në humor nga 82 votat dhe duke pasur përballë çiftin e hakërryer të opozitës, Rama bëri një batutë, e cila po prodhon ende debat fallco nga opozita. Por në atë batutë kishte dy problem serioze: E para, që u tha si batutë, dhe e dyta, që nga Meta u ilustrua si shaka.

Premtimi për të ndëshkuar ata që çuan Shqipërinë drejt një regjimi, është premtimi më serioz që shumica e re u ka dhënë shqiptarëve. Dhe nuk bëhet fjalë as për të ndëshkuar gjuhën agresive të Berishës në Kuvend, që kërcënonte me libër shtëpie çdo kundërshtar, as për të imituar gjuhën e tij që do ti fuste plumbin në ballë Edi Ramës po të dilte prapë në bulevard, por për të ndëshkuar aktet e kryera të tyre që kanë rezultuar mes të tjerash me marrje jete.

Janë së paku dy bashkëkryetarët e sotëm të opozitës, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, të cilët nuk është se vetëm kanë kërcënuar opozitën e djeshme. Ata kanë një problem më të madh jo vetëm me ligjin dhe historinë, por dhe me vetë jetimët që kanë lënë pas. Ata të dy kanë vrarë.

Pas xhamit të blinduar më 21 janar 2011, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha kanë urdhëruar vrasjen e mbështetësve të opozitës. Katër prej tyre kanë vdekur dhe rreth tridhjetë të tjerë janë plagosur. Sali Berisha dhe Lulëzim Basha e kanë pranuar këtë akt kriminal vrasjeje si meritë dhe janë lavdëruar për këtë. Ata nuk kanë pranuar as të shkojnë të hetohen për vrasje, kanë zhdukur provat e krimit nga kryeministria, kanë manipuluar regjistrat e Gardës, kanë liruar vrasësit fizikë të demonstruesve dhe kanë shpërblyer bashkëpunëtorët në krim. Kanë kryer pra çdo rit mafioz, për të qenë të bashkuar dhe institucionalë në kryerjen e krimit ndaj opozitës.

Që nga vrasjet politike në kohën e diktaturës, këto ishin të vetmet vrasje të qëllimshme politike me objektiv eliminimin e opozitës. Dy vrasësit zyrtarë dhe urdhëruesit e masakrës bashkëdrejtojnë opozitën. Nga ky akt kanë mbetur tetë fëmijë jetimë, të cilët presin që drejtësia të ndëshkojë dy bashkautorët. Shqipëria nuk mund të ndahet ende në të persekutuar dhe persekutorë. Në këtë shoqëri nuk mund të ketë më çifte fëmijësh me fat të ndryshëm për shkak të politikës. Nuk mundet që dy vajzat e Lulëzim Bashës të jetojnë mes miliardave në Tiranë dhe Holandë dhe dy vajzat e Aleks Nikës të jetojnë në varfëri dhe pa baba, për shkak të Lulëzim Bashës, në një fshat të Lezhës. Nuk mundet që fëmijët e Sali Berishës të kenë problem ku të fshehin bizneset dhe fëmijët e Faik Myrtajt të vrasin veten nga depresioni. Nuk mundet që Ana e Ziver Veizit të lotojë ditën e parë të shkollës se nuk i dalin lekët për shkollë dhe mbesat e Berishës ti gëzohen pasurive të pushtetit të gjyshit. Nuk mundet që fëmijët e Hekuran Dedës të rrinë në mërgim nga frika se Sali Berisha përveçse u ka vrarë babanë, do tu marrë dhe lopën e vetme në shtëpi, për tia dhënë gardistit të vet, dhe gardisti të hyjë e të dalë nëpër qeli si i zoti i shtëpisë, duke mos pyetur për shtet ligjor.

Një Shqipëri kaq e padrejtë dhe me kaq shumë kontraste, do të vazhdojë të prodhojë krim dhe gjak, nëse nuk do të jemi seriozë në ndëshkimin e së shkuarës.

Edi Rama duhet të mos bëjë më shaka kur flet për ndëshkimin e së djeshmes, dhe as për ndëshkimin e çiftit Topalli- Berisha apo çiftit Basha- Berisha. Duhet të jetë serioz dhe solemn kur tu premtojë përsëri se ndëshkimi i tyre do të bëhet. Edi Rama nuk duhet ta premtojë këtë si batutë që i del kur shikon çiftin Topalli- Berisha dhe Meta nuk duhet ta justifikojë më si shaka. Është diçka që duhet të ndodhë, pasi është një nga premtimet që ka prodhuar 1 milion vota kundër regjimit. Ata kanë marrë deri tani vetëm ndëshkimin për ti larguar nga pushteti politik, përmes të cilit kontrolluan dhe kapën pushtetin ekonomik, shtetin ligjor dhe botën e krimit. Tani i vjen radha ndëshkimit real të tyre dhe çuarjes para drejtësisë.

Hingëllimat e Topallit, belbëzimet e Bashës dhe hakërrimat e Berishës, nuk duhet të emocionojnë njeri. Ata bërtasin se e dinë se çfarë kanë bërë. Detyra e shumicës së re është ta dorëzojë fatin e tyre para drejtësisë. Për njerëz si ata që kanë vrarë dhe janë lavdëruar me vrasjet, fati më i mirë, nëse duan të jetojnë mbi dhe, është të jenë me duar të lidhura në qeli.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›