E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klajda Gjosha: Telefonata e Metës, pata hezitim për të hyrë në qeveri

TIRANE- Në listën e prezantuar tre ditë më parë nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, ministria e Integrimit i është besuar ish-zv.ministres së Punës, Klajda Gjosha. E angazhuar prej vitesh pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, duket se Klajda i ka ngjitur të gjitha shkallët e nevojshme pa bërë kapërcime, për të arritur në postin që është sot. Fillimisht drejtoreshë e Zyrës Rajonale të Punësimit në Tiranë, më pas kryetare e LGI-së, dhe nënkryetare e LSI-së, deri në postin e zv.ministres. Megjithëse e mësuar me poste të rëndësishme, Klajda shprehet për “Gazeta Shqiptare” se detyra si ministre e Integrimit është një përgjegjësi shumë e madhe. Megjithatë ajo që tani shprehet optimiste për marrjen e statusit brenda dhjetorit. 
Si e pritët ofertën për detyrën si ministre i Integrimit? 
Normalisht për mua ishte një kënaqësi shumë e madhe që m’u bë një ofertë e tillë, pavarësisht se më duhet të heq dorë nga mandati im si deputete. Njëherësh ndjeva dhe një përgjegjësi shumë të madhe, pasi është e kuptueshme që ministria që më është caktuar është ndër ministritë më kryesore, duke marrë parasysh që vendi ynë është drejt rrugës së marrjes së statusit të vendit kandidat. Është përgjegjësi e madhe përmbushja e prioriteteve dhe reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian. 
A hezituat në pranimin e ofertës, duke qenë se duhet të hiqni dorë nga mandati si deputete? 
Sa i takon mandatit si deputete nuk është se e mendova dhe aq gjatë. E vetmja gjë që më ka bërë të mendohem shumë, është çështja e përgjegjësisë së madhe që unë do të kem, duke marrë postin e ri si ministre e Integrimit, duke qenë në një moshë kaq të re. Por duke ditur natyrën time dhe përkushtimin që unë kam ndaj punës, mund të them me siguri se do të jetë një detyrë që do të kryhet me rigorozitet dhe në bashkëpunim të plotë edhe me ministritë e tjera. Kjo është një punë që kërkon bashkëpunim dhe komunikim shumë të mirë ndërministror. 
Nga kush ju erdhi oferta? 
Patjetër që oferta më erdhi nga z.Ilir Meta. Fillimisht ishte një komunikim në telefon. Nuk e prisja absolutisht, sepse unë nuk është se kisha punuar më parë në atë ministri. Pra nuk ishte një linjë që unë ta mendoja si të mundur që të më dedikohej mua. Pata një lloj hezitimi, sepse siç e thashë dhe më lart për shkak të shkallës së lartë të përgjegjësisë që po më jepej. Megjithatë më pas, kur e mendova më mirë dhe diskutova më gjatë edhe me z.Meta për këtë ministri, mund të them që sot jam vërtet shumë e lumtur që më është besuar mua. 
Cili është projekti që keni menduar e që do të zbatoni në krye të ministrisë? 
Prioriteti kryesor është ngritja e marrëdhënieve shumë të mira me të gjithë zyrtarët e Bashkimit Europian, dhe sidomos me ata që merren drejtpërdrejtë me integrimin e Shqipërisë. Pse jo do të ishte shumë mirë edhe marrja e statusit të vendit kandidat deri në muajin dhjetor të këtij viti. 
E garantoni marrjen e statusit brenda dhjetorit? 
Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë statusin. Duhet një punë e madhe dhe shumë përkushtim jo vetëm nga ana ime si ministre e ardhshme e Integrimit, por nga të gjitha ministritë dhe ministrat përkatës, të cilët kanë përgjegjësi të ndërmarrin ato reforma që plotësojnë edhe prioritetet e kërkuara nga Bashkimi Europian. 
Me kryeministrin e zgjedhur z.Edi Rama jeni takuar pas publikimit të emrave të qeverisë së re? 
Unë personalisht nuk jam takuar ende me të. Deri në këto momente nuk kam asnjë informacion se kur do të bëhet takimi me z.Rama.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›