E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klandestinët, 237 të kthyer, 1 në pranga

Gjirokastër- Megjithë goditjet e njëpasnjëshme të grupeve të trafikantëve, sërish trafiku i qenieve njerëzore vazhdon të jenë i pranishëm në qarkun e Gjirokastrës.

Më së miri ky fakt tregohet nga shifrat e emigrantëve shqiptarë që tentojnë të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin me Greqinë, ku kohët e fundit vihet re një tendencë më e lartë e kapjes nga policia shqiptare në krahasim me të deportuarit nga policia greke.

Burime zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit kanë bërë të ditur se vetëm përgjatë muajit korrik, nga njësitet e policisë kufitare të Stacionit të Policisë Kakavijë dhe Çarshovë janë bllokuar dhe kthyer mbrapsht 237 shtetas, të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

“Ndërsa një person është prangosur për veprën penale, dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”- thonë burimet.

Ndërkaq, për të bërë të mundur eleminimin e trafiqeve të të gjitha llojeve nëpërmjet kufirit të gjelbër, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe me homologët e palës greke për ditët në vazhdim do të zhvillohen operacione me afat të shkurtër kohor, “Për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, trafiqeve të paligjshme, qënieve njerëzore, lëndëve narkotike dhe trafikimit të fëmijëve ”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›