E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia kërkon tërheqje të plotë të gjeorgjianëve

Ndërkohë që luftimet po vazhdojnë në kufirin midis Gjeorgjisë dhe rajonit të shkëputur, Rusia këmbëngul në tërheqje të plotë të gjeorgjianëve nga Osetia jugore para se të arrihet ndonjë lloj armëpushimi.

Gjeorgjia thotë se forcat e saj janë tërhequr tani nga kryeqyteti i Osetisë së Jugut dhe se rusët kanë marrë kontrollin atje. Por Rusia thotë se ndërsa artileria e rëndë është parë që po largohet nga territori, trupat gjeorgjiane ende janë të pranishme në zona të tjera të rajonit.

Luftanijet ushtarke ruse janë dislokuar ndërkohë në porte përgjatë bregdetit gjeorgjian të Detit të Zi, midis tyre dhe në portin Poti ku Gjeorgjia thotë se janë bllokuar ngarkesa me grurë dhe karburant.

Rusia këmbëngul se nuk ka plane për të ndaluar eksporte të naftës, por rezervon të drejtën të kontrollojë çdo anije që përdor portin.

Ukraina ka kërcënuar se do të bllokojë kthimin e anijeve luftarake ruse në bazën e tyre të Sevastopolit, një port ukrainas që përdoret nga marina ukrainase dhe ruse.

Reagim i ashpër amerikan

Shtëpia e Bardhë ka shprehur keqardhje për ato që ajo i quan veprime të rrezikshme dhe të pabarabarta të Rusisë në konfliktin me Gjeorgjinë.

Zv/këshilltari për çështje të sigurisë, James Jeffrey, tha se SHBA ishte alarmuar nga situata në përkeqësim në Osetinë e Jugut.

Zoti Jefrey tha se veprimet e Rusisë mund të kenë impakt afatgjatë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis SHBA dhe Rusisë.

Ai tha se SHBA do të ishte shumë e shqetësuar nëse vërtetoheshin njoftimet se forcat ruse të këmbësorisë kishin hyrë në Gjeorgji.

Acarohet situata në Abhkazi

Autoritetet në Abhkazi kanë bërë të ditur mobilizim të plotë duke thënë se kanë dërguar rreth një mijë trupa për të larguar gjeorgjianët nga bazat e tyre në grykën Kodori, pjesa e fundit e Abhkazisë që mbahet nga Gjeorgjia.

Rusia i ka kërkuar OKB të largojë vëzhguesit ushtarakë që ka në zonë.

Gjeorgjia ka akuzuar Rusinë se po dërgon trupa në territor duke i përshkruar zhvillimet në Abhkazi si shumë të rrezikshme. (BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›