Klaudia Hila: Traditë ndërkombëtare, në 60 vjetorin e teatrit për fëmijë
Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kukullave flet mbi aktivitetin e këtij viti
Teatri Kombëtar i Kukullave vazhdon të gjejë forma të reja, që ti ketë sa më pranë fëmijët. Kështu u shpreh në një intervistë dhënë për gazetën Sot, drejtoresha e këtij institucioni, Klaudia Hila. Më tej, gjatë kësaj interviste ajo flet dhe mbi premierat që priten të shfaqen gjatë këtij viti në këtë teatër. Një tjetër aktivitet i rëndësishëm për drejtoreshën Hila është dhe 60-vjetori i Teatrit Kombëtar të Kukullave, ku sipas saj do të sjellë në këtë institucion një atmosferë festive.
Vetëm para disa ditësh në këtë teatër u shfaq pjesa Kacamiu Tekamadh, e cila argëtoi fëmijët e kryeqytetit dhe që ishte një nga premierat e suksesshme të vitit që kaloi. E ndërkohë që e suksesshme në Teatrin Kombëtar të Kukullave për Fëmijë ishte dhe shfaqja Princeshat dhe dragoi, një shfaqje për fëmijë interesante, të botës së përrallave të adaptuar në një version bashkëkohor. Ajo u ngjit në skenën e teatrit me regji të drejtorit dhe të regjisorit të Teatrit të Kukullave të Sofjes, Kyriakos Argilopus. Shfaqja erdhi si rezultat i bashkëpunimit me trupën profesioniste të aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kukullave, Sokol Myzeqari, Shegushe Bebeti, Leonard Daliu, Florinda Mazreku, Jorida Meta, Manjola Merlika. -Si ka nisur ky vit në Teatrin Kombëtar të Kukullave dhe cilat do të jenë disa nga shfaqjet që do të prezantohen për publikun e vogël?Është vërtetë një kënaqësi që të punosh më fëmijët dhe ne çdo vit jemi munduar që të sjellim gjëra të reja. Edhe këtë vit ne kemi menduar që të sjellim diçka të tillë, por kjo do të jetë e mundur pasi ne të kemi një riorganizim të Këshillit Artistik, dhe me anë të këtij këshilli do të zgjidhen tre premiera të reja dhe pas këtyre tre premierave të reja ne do të kemi dhe diçka tjetër shumë interesante. Meqenëse Teatri Kombëtar i Kukullave për Fëmijë këtë vit ka dhe 60 vjetorin e tij, ne kemi menduar që ta bëjmë ndryshe. Kjo jo me anë të një shfaqje të veçantë, por me anë të një organizmi më të mirë që do të jetë ndërkombëtar për fëmijë, ku do të ketë dhe shfaqje nga vende të ndryshme me elemente të tyre të traditës. Duke pasur parasysh që ne kemi tashmë 60 vjet traditë dhe kemi dhe personazhin tonë kryesor që është kacamisri, mendoj që edhe ky bashkëpunim me vendet e tjera do të sjellë këto personazhe të traditës. Mendoj që e sjellë në këtë formë, ku çdo gjë do të jetë e traditës me formate të ndryshme, kontemporane pa diskutim edhe nga vendet e tjera, themi që do ta bëjmë këtë 60 vjetor disi më ndryshe. Do të jetë festë, por njëkohësisht do të jetë dhe një shkëmbim eksperiencash midis shfaqjeve të ndryshme të këtyre vendeve. Ne jemi mësuar që gjithmonë ti quajmë festivale, por festivali ka gjithmonë një pikë, ku gjithsecili do të zgjedh më të mirën, por jo,pasi në këtë rast nuk do të jetë një format i tillë, por do të jetë një shkëmbim eksperiencash. Pra marrja dhe dhënie sa i takon elementit të kukullës dhe njëkohësisht trajtim i një ditëlindjeje 60 vjeçare të këtij teatri në një format të ri. Akoma nuk është përcaktuar se kur do të nisi ky projekt, i cili si fillim do ti drejtohet MTKRS, e cila do të jetë edhe nismëtarja për të bashkëpunuar me institucionin tonë, por do të jenë dhe sponsor të ndryshëm, të cilët do të mundohemi ti gjejmë për këtë aktivitet.
-Çfarë mund të na thoni për aktivitetin e këtij institucioni më parë?Viti që ne lamë pas ka qenë shumë i frytshëm, për faktin e vetëm se ne realizuam katër premiera për këtë teatër, që është një numër i konsiderueshëm, pasi dihet buxheti nuk ishte i një lartësie që i përmban 4 premiera, por përveçse u arrit numri nuk u harrua dhe cilësia. Kjo për faktin e vetëm që nisën shfaqje të ndryshme siç qe Mirkita Çobani fillimisht, më pas me Aurora Qazimin, ajo që shënoi pikun e këtyre premierave ishte dhe ardhja e regjisorit dhe drejtorit të teatrit të Sofies z. Kyriauos Argiropulos, i cili arriti të vendoste së bashku asistentin e tij z. Stanislav Stanev një pjesë shumë të bukur. Kjo jo vetëm për faktin që solli shumë elemente ku ne mësuam shumë, pasi ato vijnë nga një akademi kukullash, por ajo çfarë është më interesantja, edhe pse ishte e konceptuar nga regjisorë të huaj përsëri ishte shumë e kuptueshme nga fëmijët shqiptarë. Ishte një shfaqje tërësisht në gjuhën shqipe me aktorë tanë, ku të gjithë së bashku arritën të mësonin shumë prej tyre. Shfaqja e katër ishte dhe shfaqja e fundvitit, e cila u realizua si një premierë me rastin e festave, e cila ishte e veçantë pasi u futën dhe fëmijët në gjirin e kësaj shfaqjeje.-E ndërkohë, sa hapësirë do të zërë pjesa shqiptare në këtë teatër?Mendoj që këtë vit janë paraqitur pjesë të dramaturgjisë shqipe, por kuptohet që në interesin e këtij teatri, është që të kemi bashkëpunime me regjisorë dhe aktorë, të cilët punojnë në këtë teatër dhe kanë eksperiencë të gjatë pune. Po ashtu në interes të këtij teatri është dhe fakti tjetër që të afrojmë dhe regjisorë dhe aktorë të rinj, dhe kjo jo vetëm se sjellin risi, por me anë të sjelljes së pjesëve të tyre në këtë teatër, do të bëjë të mundur që ata që në hapat e parë të tyre të gjejnë mbështetjen e trupës së aktorëve dhe të të gjithë stafit. Për këtë është menduar që në bashkëpunim me MTKRS do të bëhet dhe një projekt shumë special për të rinjtë, ku do të jetë një audicion ku do të ftojmë të gjithë regjisorët, të cilët duan të marrin pjesë. Kjo është menduar në një format shumë të veçantë, por me zgjedhjen e atyre që do të jenë të interesuar që të jenë në këtë projekt, ku do të jenë pjesë dhe regjisorë të huaj, të cilët do të ndihmojnë me anë të ëorkshopit në rritjen profesionale të tyre, siç është zhanri i teatrit të kukullave.-Çfarë mund të na thoni për rekuizitën e këtij teatri?Mendojmë që shumë personazhe ne i kemi akoma në teatër, por kuptohet që një teatër kombëtar do të ketë padiskutim një gamë të veçantë, jo vetëm për krijimin e këtyre personazheve specifikë që mbahen mend. Megjithatë edhe pse ne nuk e kemi këtë fond, unë mendoj që në këtë rekuizitë ekzistojnë personazhe, por kuptohet të mos flasim për një periudhë kohore shumë të gjatë, pasi janë dhe kushtet e tjera që ato i kanë dëmtuar, apo kalimi i kohës ka bërë të vetën. Ne mundohemi të kemi një kujdes të veçantë për këto personazhe. Rekuizita është, ndërsa për shfaqjet që janë jashtë repertorit kuptohet që një pjesë e tyre, duke mos pasur dhe vend mund të dalin jashtë përdorimit.-Çfarë mund të na thoni për trupën e aktorëve të këtij institucioni?Aktorët e institucionit tonë janë: Florinda Mazreku, Sokol Myzeqari, Shegushe Bebeti, marilda Furxhi,Alma Pina, Donika Ramollari, Leonard Daliu, Denard Xhillari, Alfred Zeneli, Jorida Meta dhe Kliti Roshi. Këta janë aktorë që kanë vite që punojnë në këtë teatër, por dhe të rinj.-Folët për premierat, aktorët, por sipas jush ku qëndron problemi më i madh sot në këtë institucion?Mendoj që të gjitha institucionet problemin më të madh e kanë tek fondet, por duke ditur që ne kemi skenën, ku fëmijët marrin magjinë e tyre të parë, ky është elementi që ne e kemi më problematik. Ka lagështirë, por kemi dhe probleme teknike, po kryhen tentativat e fundit me MTKRS për të bërë një lloj investimi në këtë skenë. Janë dhe aktorët që e ndjenë shpeshherë që podiumet dhe ana teknike nuk është e një niveli shumë të mirë. Ne shpresojmë që të gjitha këto gjëra në bashkëpunim me MTKRS do të bëhet diçka ndryshe këtë vit.-Si u prit shfaqja Kacamiu Tekamadh nga fëmijët?Kjo shfaqje e shkuar nga Skënder Hasku, një autor që është shumë i dashur për fëmijët, ishte një shfaqje e cila u pëlqye shumë. Ajo është e konceptuar ndryshe, sepse personazhi kryesor është kacamiu. Është e konceptuar si një fletë libri, ku personazhet arrijnë nga fletët e ndryshme të librit dhe të gjitha problemet ekzistojnë në këto fletë libri. Është një shfaqje që është pëlqyer dhe do të jetë në vazhdimësi të këtij teatri.-Si do të vijojë aktiviteti i Teatrit Kombëtar të Kukullave?Sa i takon shfaqjeve të repertorit, ne do të kemi rreth 20 shfaqje të tilla, ku çdo fundjavë do të ketë një shfaqje të tillë. Kjo është një gjë shumë e mirë për ne, pasi fëmijët kanë mundësi që të vijnë dhe të shohin këto shfaqje.