Klaus Schwab: Suksesi ekonomik i Shqipërisë, rezultat i adoptimit të praktikave më të mira botërore
Kryeministri Sali Berisha u takua sot në mëngjes, në Stamboll, me themeluesin dhe Presidentin e Forumit Ekonomik Botëror Klaus Schwab. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv i Forumit Ekonomik Borge Brende.
Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Schwab për ftesën për të marre pjesë në këtë eveniment kaq të rëndësishëm ekonomik botëror, duke u shprehur se ky është një rast tjetër për të prezantuar potencialet e mëdha të vendit në energji, në pasuri hidrike, minerale, turizëm, etj., si dhe për t’i njohur investitorët me arritjet e qeverisë shqiptare në fushën e reformave politike dhe ekonomike.
Zoti Schwab, duke vlerësuar shumë pozitivisht arritjet në fushën ekonomike dhe stabilitetin politik në vend, u shpreh se Shqipëria ka pësuar një transformim rrënjësor në vitet e fundit. Në mënyrë të veçantë, zoti Schwab u shpreh se admironte vendosmërinë e lidershipit të qeverisë shqiptare për të ndryshuar klimën e biznesit në vend, veçanërisht në arritjet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Schwab me reformat e ndërmarra në mbështetje të biznesit si “One stop shop”, vendimin për të mos pasur prokurime direkte nga janari 2009, heqjen e 2/3 të lejeve dhe licencave, ndërsa për lejet e ndërtimit dhe licencat e tjera do të adaptohet parimi ‘heshtja është pranim’. Në fushën ekonomike, eksportet “made in Albania” kanë arritur në 42 për qind në 6 mujorin e parë dhe ekonomia shqiptare ka njohur rritje dyshifrore në 6 mujorin e parë të këtij viti, procesi i privatizimeve të mëdha ka njohur suksese të rëndësishme, 32 për qind të buxhetit është në funksion të modernizimit të infrastrukturës dhe në tre-katër vjet, Shqipëria do të ketë një hartë të re rrugësh moderne, sikundër po zgjerohet edhe harta e parqeve industriale në vend, në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së punësimit. Për të gjitha këto, në raportin e Bankës Botërore “Doing business”, Shqipëria u rendit e dyta në botë për reformat.
Si rezultat i reformave dhe përpjekjeve të qeverisë në luftën kundër korrupsionit, u shpreh Kryeministri, Shqipëria la pas 95 vende në raportin e Transparency International dhe në tre vjet, janë mbledhur 3.2 miliard dollarë të ardhura. Gjithashtu, Shqipëria sot, ka indeksin nga më të ulëtit për kriminalitetin, në krahasim me mesataren europiane.
Zoti Schwab shprehu vlerësimin maksimal për faktin se në te gjitha aspektet e zhvillimit, qeveria shqiptare po adopton praktikat më të mira nga gjitha vendet. Gjithashtu, ai shprehu konsideratat për vendosmërinë e qeverisë për të bërë sa me eficente shfrytëzimin e potencialeve të Shqipërisë, duke veçuar potencialet energjetike, me 20 miliard kilovat/orë energji për t’u shfrytëzuar, që, pas ndërtimit të shume hidrocentraleve, do ta kthejnë Shqipërinë në një eksportuese të energjisë në rajon dhe më gjerë.
Gjate bisedës u diskutua për klimën politike dhe impaktin e saj në ekonominë e Ballkanit, ku zoti Schwab u shpreh se ka një trend pozitiv në bashkëpunimin rajonal dhe se ky trend po konsolidohet edhe më shume.
Kryeministri Berisha e ftoi zotin Schwab për të vizituar Shqipërinë, ftesë që u pranua me kënaqësi nga zoti Schwab.
Kryeministri Berisha po zhvillon një vizitë dy ditore në Stamboll, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror për Europën dhe Azinë Qendrore.
30/10/2008