Kledi Kadiu, sukses në Itali

Balerini Kledi Kadiu do të jetë protagonist në "Contemporary Tango" të kompanisë Balletto di Roma, në Teatrin Vasciello të Romës.
Pas suksesit të korrur në Rai5 edhe me edicionin e tretë të “Progetti di Danza”, Kadiu kthehet në teatër. Këtë radhë si protagonist në 'Contemporary Tango' , qe do të shfaqet nga e marta 23 prill deri të dielën më 28 prill në Teatrin Vasciello të Romës, shkruan "Shqiptari i Italise".
Përmes një gjuhe bashkëkohore, vepra përpiqet të rrëfejë një vallëzim: tangon sociale që gjithnjë e më shumë po përhapet në botë. Tangoja sociale e përjetuar jo vetëm si një vallëzim, me hapat e saj tipikë, por e aftë të përshkojë me muzikën e saj të gjitha kontinentet.
Vepra e krijuar nga kompania Balletto di Roma tregon përqafimin e tangos, brenda të cilit përmbushen nevojat, ëndrrat, dëshirat, një përqafim që secili shpreh duke e pasuruar me diçka tijën. E në këtë aspekt, është edhe më e vyer e më e veçantë pjesëmarrja e jashtëzakonshme e Kledi Kadiut, falë të cilit viriliteti që përmban ky lloj vallëzimi bëhet protagonist. /Indeksonline/