Kledi u rikthye në Divjakë për të punuar në Bujqësi: Kultivoj perime për eksport

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Kledi Sotiri, pas gati 3 vitesh pune në kuzhinë, zgjodhi të rikthehet në Divjakë dhe t’i përkushtohet bujqësisë bashkë me familjen e tij.
Sot, ai kujdeset me përkushtim për një sipërfaqe prej rreth 6 dynym serra, ku kultivon gjatë vitit sipas sezoneve pjepër, bostan, lakër-sallatë dhe speca.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau nga cikli “Të rinjtë në bujqësi”, historinë e tij, që ka zgjedhur ta ndërtojë punën dhe familjen e tij në fshatin ku ka lindur, duke vazhduar traditën familjare me pasion dhe përkushtim.
Denaj tha se “të gjithë prodhimin ai e çon në pikën e grumbullimi për eksport, duke sjellë produkte cilësore Made in Albania në tregjet ndërkombëtare”.
“Kam kultivuar perime të sezonit, lakër dhe sallatë të cilat i çoj në pikat e grumbullimit për eksport. Lakra është më shumë e kërkuar nga tregu”, shprehet Kledi.
Ai tregon se pasi studioi për kuzhinë punoi në Tiranë, por pa më me leverdi të angazhohej në fermën e tij bujqësore në Divjakë, në kultivimin e prodhimeve bujqësore të zonës.
“Në 6 dynymë tokë ne kultivojmë tre kultura; bostan; spec dhe lakër sallatë. Këto janë kulturat më të leverdisshme që kërkohen nga tregu vendas dhe për eksport, ndaj vazhdojmë t’i mbjellim dhe kultivojmë duke respektuar standardet e cilësisë së lartë”, u shpreh Kledi. /j.p/