Kleriku i fuqishëm, Rafsanxhani: Irani, një vend në krizë
Në kundërshtim të hapur me liderin suprem të Iranit, një klerik i fuqishëm ka deklaruar dje se Republika Islamike ndodhet në krizë pas zgjedhjeve të dyshimta presidenciale dhe po të premten pas lutjeve të së premtes me mijëra njerëz kanë dalë në shesh, për herë të parë që pas disa javësh për të treguar mospajtimin e tyre me situatën. Në qendër të Teheranit ka pasur përplasje mes njerëzve dhe forcave të policisë. Opozitarët që mbështeten nga ish-kandidati presidencial, Mousavi, ende nuk janë pajtuar me rezultatin e votimeve dhe rezultatin përfundimtar. Sipas disa burimeve, policia ka sulmuar protestuesit me gaz lotsjellës. Parullat kryesore kanë qenë në mbështetje të Mousavit, por ka pasur edhe nga ato që janë shprehur kundër Rusisë, duke qenë se ky vend e njohu menjëherë rezultatin e zgjedhjeve dhe është një nga mbështetësit kryesorë dhe më të fuqishëm të Ahmadinexhadit. Për sa i përket klerikut të fuqishëm dhe ish-Presidentit të vendit, Rafsanxhani, ai deklaroi se shpresonte që vendi ta kalonte sa më parë këtë periudhë të vështirë, që mund të quhej pa frikë "krizë". Megjithatë, Rafsanxhani nuk i është bashkuar me deklarata Mousavit apo Mehdi Karoubit, të cilët kanë denoncuar gjykatën për manipulim të rezultateve të votimit, por vërejtjet e tij përbëjnë një sfidë të hapur dhe të drejtpërdrejtë ndaj Liderit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka akuzuar të huajt për organizim të protestave në Teheran. Deklaratat e Rafsanxhanit janë mbështetur edhe nga disa klerikë të tjerë të fuqishëm, të cilët kanë kritikuar gjithashtu autoritetet. Në sheshin jashtë Universitetit të Teheranit, policët janë përleshur me protestuesit dhe raportohet se 15 persona janë arrestuar. Mousavi, Kryeministër i vendit në vitet ‘80 mori pjesë në ceremoninë e lutjeve që përbënte edhe daljen e tij të parë publike që nga vota presidenciale. Rafsanxhani është drejtues i Asamblesë së Ekspertëve, një organizëm i fuqishëm që teorikisht presupozohet që të shkarkojë edhe vetë Liderin Suprem. Ai sulmoi mënyrën me të cilën autoritetet menaxhuan zgjedhjet dhe situatën postzgjedhore. Kur njerëzit nuk janë në skenë dhe votat e tyre nuk janë aty, atëherë ai vend nuk mund të pretendojë të jetë një republikë islamike. Sot është një ditë e hidhur. Besimi i njerëzve te ne është dëmtuar dhe ne nuk mund ta rifitojmë më brenda një dite ose një nate", ka thënë Rafsanxhani. Ndër të tjera ai tha edhe: "Imam Khomeini nuk do të përdorte forcën, apo armët kundër njerëzve."