E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tmerr në Ritz e Mariott: Vetëvrasësit marrin jetën e 8 vetëve

Disa kamikazë të shtirur si turistë kanë hyrë në një hotel luksoz në Xhakarta të Indonezisë dhe janë hedhur në erë. Si pasojë janë vrarë 8 persona dhe rreth 50 të tjerë janë plagosur. Bëhet fjalë për dy shpërthime, të cilat kanë ndodhur njëri pas tjetrit në intervalin kohor të 2 minutave dhe u kanë dhënë fund 4 viteve të qetësisë. Sulmi i fundit ka ndodhur plot 4 vjet më parë. Shpërthimi në Marriot dhe Ritz që ndodhen në një lagje të pasur të Xhakartës ka shpërthyer dritaret dhe ka shkaktuar një tymnajë të madhe. Sipas burimeve të policisë, atentatorët vetëvrasës dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë përdorur për të organizuar kasaphanën disa dhoma të hotelit. Në Marroiot, në momentin e shpërthimit po organizohej mbledhja e krerëve të kompanive më të fuqishme financiare në vend. Qetësia 4-vjeçare në Indonezi, një vend që është goditur sistematikisht nga sulmet vetëvrasëse të grupeve të ndryshme terroriste u prish disa ditë më parë me paralajmërimin që një organizatë australiane i bëri qeverisë indoneziane. Sipas këtij paralajmërimi kishte mundësi që sulmet të përsëriteshin shumë shpejt. Këto sulme nuk janë marrë përsipër nga asnjë grup dhe autoritetet vendase nuk kanë vënë ende gishtin mbi ndonjë të dyshuar, por dyshimet kryesore bien mbi grupin famëkeq terrorist "Jemaah Islamiyah".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›