E Diel, 1 Nëntor 2026

Një shenjë trëndafil për një shenjt librofil

Mesa duket më njëzetetre të prillit paskan vdekur në të njëjtën datë dy kolosët, Shekspir dhe Servantes. Kështu e thotë edhe UNESCO dhe prej disa vitesh këtë ditë e ka proklamuar dhe shpallur: Dita Botërore e Librit.

Shumë e thjeshtë: për të mos krijuar ndonjë problem “diplomatik” dhe për të qenë politically correct, si dhe për t’i lehtësuar punën burokracisë së sërës së lartë, dy kryegjenitë paskëshin vendosur të ikin nga kjo jetë në të njëjtën datë, a thua kanë vdekur vërtet, me gjithë këtë peshë imortaliteti të tyre! Sa kurioze do të ish të dinim sesi ne, njerëzia, mund të kishim qenë pa ta, e si do të ngjanim jashtë atij kuadrati Otello - Makbeth - Sanço - Don Kishot?! Meqë, në fakt, jemi pashmangshmërisht ndërtuar apo vetëthemeluar si projeksion i miteve dhe bëmave që gjenitë patën pjellë përmes kryeveprave të tyre. Dhe që tashmë janë edhe tonat. Ose, më saktë, ngaqë neve jemi ne që jemi e këta që jemi pikërisht edhe për hir të tyre. Shekspir dhe Servantes: njëri shpikës i njeriut dhe tjetri i fjalës së kësaj shpikjeje, romanit. Përtej vdekjes apo përjetësisë, iniciativave të mira dhe të mirës së burokracisë, e vërteta është se 23 prilli mbetet dita e Shën Jordit dhe legjendës së tij. Dhe siç dihet, legjendat dhe mitet na kanë ngelur si të vetmet të vërteta absolute. I vetmi procesverbal që s’ka nevojë për vërtetimet tona, pasi që ne i lindëm ose i gjetëm për të mbetur vetë pengu i tyre. Për ta njohur veten dhe të tjerët përmes tyre. E kështu, sipas legjendës në fjalë, kur Jordi e vrau dragoin për të shpëtuar princeshën e Katalonjës, ne thamë, ose legjenda na tha, se nga gjaku i përbindëshit që pat kërcënuar dashurinë bulbëzoi një syth trëndafili. Një trëndafil që djaloshi e rroku sa hap e mbyll sytë dhe ia dorëzoi, domethënë dhuroi, princeshës së tij. Dhe, kësisoj, ky u bë trëndafili i dashurisë, i një dashurie prej princeshe të vërtetë dhe princi të kaltër që po vërtetësohej. Ashtu si jeta që pjell kaltërinë e pavdekësisë nëpër librat qiellorë, në të cilët mandej rriten ato të vërtetat më të vërteta se vetë jeta.

Sot në Katalonjë është dita e Saint Jordit, e cila latinitetit të Italisë i kumbon San Giorgio dhe këtu ndër ne Shën Gjergji. Ndërsa botës së artit dhe librit kjo ditë i është veshur me petkun e nismës “një trëndafil për një libër”. Si një realitet këmbimi në këtë klering sa arkaik aq metaforik të ndjenjës me kulturën. Brenda të njëjtit trekëndësh metafore princërore, le ta quajmë DEA: Dashuri, Emocion, Atraksion. Janë gjithandej çiftet në mbarë botën e kulturuar që sot i dhurojnë njëri-tjetrit shkëmbimin e një libri me një lule ose të një luleje me një libër. Legjendë apo nismë, lulja mbetet po lule, libri po libër dhe dashuria po ajo. Gjëra pa të cilat ajo që e quajmë kultura nuk do t’ia mbërrinte dot të ishte edhe kulturë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›