E Diel, 1 Nëntor 2026

Klik Ekspo Group çel sot siparin e edicionit të 31-të të Panairit Ndërkombëtar në Tiranë, RTSH prezanton risitë dhe projektet e reja

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, Klik Ekspo Group, çel sot siparin e edicionit të 31-të të tij, i cili do të jetë i hapur për publikun deri më datën 8 nëntor.

Radio Televizioni Shqiptar do të jetë i pranishëm me një stendë të veçantë në këtë panair, për të mirëpritur vizitorë të interesuar për të mësuar mbi risitë, zhvillimet, dhe formatet e ndryshme të RTSH-së.

Gazetari Omer Saraçi në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e RTSH24, nga stenda e RTSH-së në këtë panair, deklaroi se gjatë ditës së sotme do të jenë moderatorë, prezantues të RTSH-së të formateve të ndryshme, për t’iu dhënë mundësi vizitorëve për t’i takuar nga afër e për të diskutuar me ta.

Gjatë ditës së nesërme (6 nëntor), Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të jetë në këndin e RTSH-së në panair, për të luajtur pjesë muzikore për publiku.

Saraçi deklaroi gjithashtu se, ditën e premte (7 nëntor), do të ketë ceremoni promovuese në lidhje me sportin e skive, pasi kujtojmë se RTSH ka ekskluzivitetin e transmetimit të kampionatit ndërkombëtar të skive për t’iu mundësuar të gjithë sportdashësve magjinë e këtij sporti përmes ekranit të Radio Televizionit Shqiptar.

“Gjithçka po bëhet gati për orën 17:00 kur do jetë ceremonia hapëse e Panairit të 31-të Ndërkombëtarë të Tiranës. Panairi do ketë në fokus ekonominë, shkëmbimin midis bizneseve vendase dhe të huaja, të cilat do mbahen përgjatë 4 ditëve deri më 8 nëntor. Këtë vit panairi zhvillohet nën moton “Shqipëria 2030”  duke vënë në qendër vizionin e Shqipërisë  për zhvillimin e qëndrueshëm, modernizimin e sektorëve kryesorë të ekonomisë, pa diskutim turizmi është lokomotiva e ekonomisë, por dhe sektorë të tjerë si infrastruktura, energjia, teknologjia dhe kultura.

Janë qindra sipërmarrje vendase dhe të huaja që janë bërë gati të prezantojnë produktet e tyre, risitë dhe projektet, nga start up-et inovative shqiptare, deri te kompanitë ndërkombëtare që kërkojnë mundësi bashkëpunimi në tregun shqiptar.

Në ditët në vijim, panairin do e ndjekin paralel dhe disa panele që do diskutojnë për këto sektorë të ekonomisë së vendit ku do jenë të pranishëm dhe investitorë të huaj. Në qendër të panairit do jenë projektet vizionare se si mund të jetë ekonomia shqiptare e së nesërmes. Unë ndodhen në stendën e RTSH që do qëndrojë e hapur gjatë këtyre 4 ditëve për të mirëpritur vizitorë të interesuar për të mësuar për risitë, zhvillimet, formate të ndryshme të RTSH.

Dua ta nis me ditën e sotme, këtu në panair do jenë të pranishëm moderatorë, prezantues të RTSH-së të formateve të ndryshme, publiku, vizitorë, shikuesit mund të vijnë t’i takojnë nga afër, ti takojnë e diskutojnë me ta.

Gjatë ditës së nesërme, orkestra e RTSH-së do jenë në këtë kënd për të luajtur pjesë muzikore për publiku.

Do ketë kuriozitete të tjera që do shoqërojnë shikuesit dhe vizitorët këtu në stendën e RTSH dhe panairi për të parë nga afër zhvillimet në ekonominë shqiptare e më tej.

Ditët në vijim presim zhvillime që lidhen me RTSH-në. Ditën e premte do ketë ceremoni promovuese në lidhje me sportin e skive. RTSH do ketë ekskluzivin e transmetimit të kampionatit ndërkombëtar të skive. RTSH do bëhet ai ekran ku sportdashësit dhe amatorët do kenë mundësi të ndjekin këtë sport aq të bukur dhe aq interesant”, tha Saraçi.

Panairi do të jetë i hapur për publikun nga 5 deri më 8 nëntor, dhe do të transmetohet gjerësisht nëpërmjet RTSH, partnerit mediatik të këtij edicioni.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›