Klima e biznesit në Shqipëri, Dhoma Amerikane e Tregtisë publikon indeksin: Forcim i masave antikorrupsion dhe rritje e transparencës

Klima e biznesit në Shqipëri duket se është përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Këtë e tregon Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane të Tregtisë për vitin 2025, i cili ka shënuar një rënie prej mbi 6 pikësh krahasuar me një vit më parë.
Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson se ndikimin kryesor në këtë përkeqësim e kanë dhënë korrupsioni, klima e brendshme politike si dhe informaliteti.
“Shqetësimet kryesore lidhen me monopolin dhe konkurrencën e padrejtë, burokracinë qeveritare, klimën e brendshme politike, ekonominë informale, gjetjen e stafit të kualifikuar dhe korrupsionin. Klima e brendshme politike ka -14 pikë, infrastruktura -1.29 pikë dhe perceptimi i korrupsionit -9.36 pikë. Këto kanë shënuar rezultatet më të ulëta të 14 edicioneve të ABI Indeksit. Rënia me 9.36 pikë në një vit të vetëm dëshmon edhe njëherë erozionin e shpejtë të besimit në integritetin institucional dhe e rikthen korrupsionin në krye të axhendës së reformave që komuniteti i biznesit kërkon”, tha Neritan Mullaj, drejtor Ekzekutiv, AmCham
Për të përmirësuar klimën e biznesit, Dhoma Amerikane dha disa rekomandime si shtimi i masave antikorrupsion dhe transparencës, sistem tatimor modern apo zhvillimi i industrisë turistike.
“Forcimi i klimës së investimeve, kornizës rregullatore, shqyrtimi i investimeve strategjike, forcimi i masave antikorrupsion dhe rritja e transparencës, konsultimi publik efektiv, si dhe një sistem tatimor modern”, theksoi ai.
Në të gjithë anketën, i vetmi tregues pozitiv ishte infrastuktura digjitale e cila është vlerësuar me rreth 53%.
Gazetar: H. Mahmutaj
/rtsh.al/