E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Marrëveshja me Eni-n hedh themelet e sigurisë afatgjatë energjetike

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e cilësoi sot memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar mes Shqipërisë, Italisë dhe kompanisë italiane Eni S.p.A. si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike të vendit dhe zhvillimit të sektorit të hidrokarbureve.

Duke folur në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Tiranë, Karakaçi tha se bashkëpunimi me një nga kompanitë më të mëdha energjetike në Europë krijon mundësi të reja për studimin dhe zhvillimin e projekteve strategjike në Shqipëri.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e energjisë, shënojmë një hap më të sigurt drejt sfidave të së ardhmes në këtë sektor”, deklaroi ministri.

Sipas tij, “ky bashkëpunim parashikon ndërmarrjen e studimeve, hartimin e projekteve strategjike dhe vlerësimin e mundësive për furnizimin e tregut shqiptar me produkte energjie dhe krijimin e modeleve të ndryshme të stoqeve energjetike”, u shpreh Karakaçi.

Ministri theksoi se energjia mbetet një komponent strategjik i sigurisë kombëtare, veçanërisht në kushtet e zhvillimeve aktuale gjeopolitike, ndaj qeveria shqiptare ka ndjekur politika afatgjata për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm.

“Energjia është komponent strategjik i sigurisë. Në kushtet e situatës gjeopolitike, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një qasje të qëndrueshme dhe afatgjatë për të krijuar siguri energjetike në çdo rrethanë”, tha ai.

Karakaçi vuri në dukje se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në diversifikimin e burimeve energjetike.

“Ne kemi punuar për diversifikimin e burimeve energjetike. Sot mbi 10% e energjisë vjen nga parqet fotovoltaike. Objektivi ynë është rritja e sigurisë energjetike dhe në këtë linjë është konsideruar edhe sektori i hidrokarbureve”, tha ministri.

Duke folur për reformat në sektor, Karakaçi bëri të ditur se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përgatitur strategjinë kombëtare për furnizimin me karburante, e cila pritet të kalojë për miratim në Kuvend.

“Përmes këtij ligji Shqipëria siguron depozita karburantesh të sigurta dhe të qëndrueshme. Kjo reformë e afron Shqipërinë me standardet europiane sepse përafron legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Europian dhe mund të përbëjë një instrument të rëndësishëm për forcimin e sistemeve të magazinimit dhe stoqeve”, deklaroi ai.

Në përfundim, ministri nënvizoi rëndësinë afatgjatë të projektit.

“Sot po marrim hapin e duhur për të studiuar me seriozitet të gjitha alternativat për zhvillim. Shqipëria po ndërton themelet e një sigurie energjetike që do t’u përgjigjet dekadave dhe brezave që vijnë”, përfundoi Karakaçi.

Përfaqësuesi i Eni S.p.A., Claudio Descalzi, tha se ishte një mesazh i kryeministrit që hodhi idenë e bashkëpunimit.

“Ishte pikërisht ai që e themeloi këtë ide për të bërë bashkë nevojat e një vendi me teknologjinë. Besoj fort te kryeministri dhe i thashë po, e bëjmë. Ndërkohë që unë e thashë, u bë realitet dhe ai gati-gati e mendonte që gjëja ishte e bërë. Në këto 3 muaj që bënë bashkë ministrat, kolegët e mi, u thashë që do të më kishte pëlqyer që para verës të vija këtu dhe të tregoja diçka të kryer”, tha ai, teksa bëri të ditur se, po punohet për linjat e reja të transmetimit që do të lidhin Italinë me Shqipërinë.

1 nga 2

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›