E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadastra, mbi 41 mijë aplikime të trajtuara në Shkodër gjatë pesëmujorit të parë të vitit

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka vijuar ofrimin e pandërprerë të shërbimeve për qytetarët në qarkun e Shkodër, ku gjatë periudhës janar-maj 2026 janë trajtuar 41 412 aplikime.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Vendore Shkodër, gjatë kësaj periudhe janë lëshuar 3956 certifikata pronësie dhe janë legalizuar 1309 objekte banimi informale.

Shifrat pasqyrojnë vijimësinë e shërbimeve kadastrale dhe funksionimin normal të proceseve që lidhen me regjistrimin dhe administrimin e pronave.

ASHK bën të ditur se, prej vitit 2020 të gjitha shërbimet kadastrale ofrohen në mënyrë elektronike. Qytetarët mund të aplikojnë vetëm përmes portalit “e-Albania” ose nëpërmjet noterëve, ndërsa pranë zyrave të institucionit nuk pranohen aplikime fizike.

Dokumentacioni i nevojshëm ngarkohet në sistem gjatë procesit të aplikimit, ndërsa dokumentet origjinale dërgohen me postë sipas procedurave në fuqi. Dokumentet përfundimtare dhe përgjigjet përkatëse u vihen në dispozicion qytetarëve në hapësirën “Dokumentet e Mia” në “e-Albania”, ose pranë noterit që ka kryer aplikimin.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›