E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klima, liderët botërore mblidhen në Kopenhagen

Liderët botërorë në Kopenhagen, ku do të mblidhen në përpjekje për të arritur një marëveshje pas asaj të Kiotos nuk mund të dështojnë. Kështu ka deklaruar kryeministri britanik Gordon Brown në një letër dërguar homologut të tij danez, Lars Loekke Rasmussen, nëpërmjet së cilës konfirmon praninë e tij në këtë samit që do të zhvillohet në dhjetor. Në letër, Brown garanton se do të bëjë të pamundurën në mënyrë që të arrihet një marëveshje e cila do të jetë një pikë kthese e rëndësishme në luftën kundër ndryshimeve klimaterike. Ndërkaq shpresat për samitin e klimës në Kopenhagen në dhjetor janë rritur pasi është bërë e ditur se më shumë se 60 presidentë dhe kryeministra, kanë planifikuar të marrin pjesë në këtë samit më përmasa ndërkombëtare. Megjithatë ende ka shqetësime se asnjë marrëveshje e fortë nuk do të arrihet nga bisedimet që do të zgjasin nga dt 7 deri në 18 dhjetor. Por sipas vëzhguesve, prania e kaq shumë figurave të larta në rang qeverish dhe presidencash, bën që të rriten radikalisht shpresat për gjetjen e një kompromisi. Zakonisht bisedimet e përvitshme lidhur me ndryshimet e klimës, e që organizohen nga OKB-ja, janë administruar nga ministrat e mjedisit të vendeve që marrin pjesë. Delegacione nga 192 vende do të marrin pjesë në këtë takim, i cili do të përpiqet të hartojë një traktat të ri që do të zëvendësojë marëveshjen protokollin e kiotos të arritur në 1997. Kryeministri australian Kevin Rudd, i cili do të jetë një negociator kryesor në takim, ka thënë se ai beson se ata që janë përfshirë në samit , kanë mundësi të arrijnë një marrëveshje mbi klimën, por shtoi se negociatat do të jenë shumë të vështira. Australia është eksportuesi më i madh botëror i qymyrit dhe shënon nivelet më të larta të emetimit të gazeve për një komb të zhvilluar, megjithatë Kevin Rudd tha se është i gatshëm të jetë pjesë e zgjidhjes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›