E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton: Kosova nuk mund të mbetet e izoluar

 Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar në Bruksel me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. Sipas mediave kosovare, Thaçi ka marrë mbështetjen e palëkundur të sekretares amerikane për Kosovën në të gjitha sferat.

Në takimin ndërmjet Thaçit dhe sekretares amerikane, Klinton, që thuhet se ishte i paplanifikuar më parë në kuadër të vizitës së kryeministrit Thaçi në Bruksel, është diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Sipas Thaçit, Klinton ka përshëndetur marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka kërkuar që ato të zbatohen në mënyrë që të dëshmohet konstruktivitet.

Në këtë takim është diskutuar edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërsa edhe në këtë fushë sekretarja amerikane e Shtetit ka ofruar mbështetje, duke e bërë të qartë se Kosova nuk mund të mbetet e izoluar.

Më tej, Klinton ka kërkuar nga qeveria të vazhdojë reformat në sistemin gjyqësor dhe në sektorë tjerë të rëndësishëm, të ketë stabilitet politik etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›