Klinton: Me marrëveshjen, Kosova dhe Serbia më pranë BE-së

Marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për bashkëpunimin rajonal, si dhe ajo për zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit, janë një hap i rëndësishëm drejt ardhmërisë së tyre të përbashkët evropiane, ka thënë sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton.
“Këto marrëveshje janë në përputhje me pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Ato e lëvizin Kosovën përpara dhe më afër integrimit të plotë evropian, të cilin Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta përkrahin. Kosova tani do të ulet në tavolinë në forumet rajonale si partnere e barabartë, ku do ta përfaqësojë veten dhe do të flasë për veten”, ka thënë shefja e diplomacisë amerikane.
Klinton ka thënë se këto marrëveshje do i hapin derën edhe kandidaturës së Serbisë për Bashkimin Evropian.
“Përparimi i Serbisë drejt integrimit evropian është gjë e mirë për Serbinë, mirë për Kosovën dhe mirë për të ardhmen e tërë rajonit”, ka deklaruar ajo, duke shfaqur shpresën se ”dialogu i ndërmjetësuar nga BE do të vazhdojë lidhur me çështjet e tjera që ndikojnë në jetën ditore të qytetarëve të të dy shteteve”.
“Dëshiroj të përgëzoj të dy qeveritë për fleksibilitetin e tyre dhe punën e vështirë që e kanë bërë gjatë këtij dialogu. I inkurajoj popujt e Kosovës dhe Serbisë që t`i zbatojnë këto marrëveshje me mirëbesim dhe që të përkrahin përparimin që është bërë. Të dyja shtetet mund jenë të sigurta për një të ardhme paqësore dhe prosperuese si pjesë e një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe, vetëm përmes dialogut dhe besimit të rritur”, thuhet në deklaratën e Klinton.