Klinton: Përparimi i gruas dhe i njerëzimit

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, në Pekin, 189 shtete miratuan Platformën për veprim, që ishte angazhim i qeverive për një qasje më të madhe të grave në arsim, kujdes shëndetësor, punësim, kredi dhe në mbrojtje të së drejtës së tyre për të jetuar pa dhunë
Nga Nik Krastev
Gjatë javës që po lëmë pas, Sekretarja
amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, foli në selinë e Kombeve të Bashkuara në
Nju-Jork rreth përparimit të shënuar në përmbushjen e këtyre qëllimeve.
Klinton foli mes të tjerash edhe për rolin që luajnë gratë në përmbushjen e
synimeve amerikane në politikën e jashtme.
Gratë në mbarë gjithë botën po punojnë shumë për të përmbushur pjesën e tyre
të detyrimeve për të përmirësuar statusin e grave dhe vajzave. Këto përpjekje
ndikojnë njëherësh në përmirësimin e statusit të familjeve, komuniteteve dhe
shteteve, tha Klinton, e cila 15 vjet më parë në Pekin, në hartimin e
Platformës, merrte pjesë si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara.
Klinton, në fjalimin e së premtes në Kombet e Bashkuara, nënvizoi rëndësinë e
punës, ndonjëherë të padukshme të miliona grave; nga ato që luftojnë dhunën në
familje, e ngrenë strehimore për gratë viktima të dhunës, gratë që shpëtojnë
vajzat e mitura nga bordelet e Kamboxhias, tek ato që luftojnë për gratë në
poste publike në Kuvajt, apo të tjera gra që u ofrojnë ndihmë ligjore grave në
Kinë.
Ndonëse mund të kalojnë shpeshherë pa u vënë re, gratë janë heroinat e vërteta,
derisa krahasuar me 15 vjet më parë janë shënuar suksese konkrete në fuqizimin
e grave.
Sot, më shumë vajza ndjekin shkollën, ka më shumë gra të punësuara dhe më
shumë femra që mbajnë poste publike. Përderisa gratë kanë fituar të drejtën për
të punuar, mësuar e për pjesëmarrje në shoqëritë e tyre, kontributet e tyre
ekonomike, politike e sociale janë shumëfishuar, theksoi shefja e diplomacisë
amerikane.
Me gjithë përmirësimet, ende ka probleme të shumta. Ka një numër të
konsiderueshëm shtetesh që kanë ligje diskriminuese ndaj grave, apo ligje që
nuk zbatohen si duhet kur vjen puna te gratë.
Ndonëse gratë përbëjnë shumicën e bujqve në botë, shpesh atyre iu mohohet e
drejta për të pasur tokë në pronësi. Një nga caqet që duhet të arrihet, theksoi
Klinton, është vendosja e shenjës së barazimit mes grave dhe përparimit.
Duhet të deklarojmë njëzëri se përparimi i gruas është përparim i njerëzimit,
tha Klinton.
Kryediplomatja amerikane nënvizoi se, kur gratë janë të lira të zhvillojnë
aftësitë e tyre, përfiton gjithë shoqëria.
Kur gratë garojnë për poste publike, qeveritë janë më efikase dhe më të
ndjeshme ndaj qytetarëve të tyre.
Kur gratë janë të lira të fitojnë jetesën dhe kur nisin biznese të vogla,
statistikat tregojnë se ato shndërrohen në element kyç të rritjes ekonomike.
Vuajtjet dhe shtypje e grave ecin dorë për dore me mungesën e stabilitetit dhe
të zhvillimit të një vendi.
Klinton theksoi se fuqizimi i grave është në zemër të politikës së jashtme
amerikane. /rfe/