E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton: SHBA dhe Kina po punojnë për të forcuar marrëdhëniet

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara  dhe Kina po punojnë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe duke u përqendruar në aspektet e bashkëpunimit dhe jo të mosmarrëveshjeve.

Pas një takimi që pati sot në Pekin me ministrin e Jashtëm kinez Jang Gje Çë, zonja Klinton deklaroi se në analizë të fundit, administrata e re Obama përpiqet të krijojë marrëdhënie të mira me Kinën.

Ajo u ndal në aspektet ku Uashingtoni përpiqet të bashkëpunojë me Kinën, si lufta kundër krizës ekonomike globale dhe zbutja e ndryshimeve klimatike.

Ajo tha gjithashtu se Kina dhe Shtetet e Bashkuara po rifillojnë shkëmbimet ushtarake të cilat u pezulluan në muajin tetor kur administrata e ish Presidentit Bush njoftoi Kongresin rreth planeve për t'i shitur Tajvanit armatime me vlerë prej 7 miliard dollarësh.

Zonja Klinton tha gjithashtu se e vlerëson besimin e Kinës te bonot amerikane të Thesarit.

Ministri i Jashtëm kinez Jang Gje Çë la të kuptohet se Pekini nuk do t'i ndryshojë në mënyrë dramatike politikat për blerjen e bonove amerikane të Thesarit por nuk dha hollësi të tjera. Kina është vendi që ka blerë më shumë bono të Thesarit amerikan se çdo vend tjetër i botës.

Dje, para se të nisej për në Pekin, Sekretarja Klinton tha se debatet me Kinën për të drejtat e njeriut nuk duhet të pengojnë përparimin në fusha të tjera.

Kina është ndalesa e fundit e turneut saj në katër vende të Azisë.

Zonja Klinton takohet sot edhe me presidentin Hu Gjintao dhe kryeministrin Uen Gjabao.

Të djelën zonja Klinton do të marrë pjesë në një shërbesë fetare dhe do të takohet me gra dhe drejtues të shoqërisë civile para se të kthehet në Uashington. //ii

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›