E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Fillon ulja e taksave për 95 përqind të amerikanëve

Presidenti Barak Obama tha se duke nisur nga e diela, punëdhënësit në Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të ulin taksat për 95 përqind të amerikanëve që punojnë.

Kjo ulje taksash do të pasqyrohet në pagat e tyre brenda muajit mars. Në fjalimin e përjavshëm në radio dhe në Internet, zoti Obama tha se një familje mesatare amerikane do të përfitojë 65 dollarë në muaj nga kjo ulje. 

Presidenti Obama tha se përfitimet nga shkurtimi i taksave do t'u shkojnë më shumë amerikanëve dhe më shpejt se asnjëherë në historinë e vendit. 

Këto shkurtime, të cilat janë pjesë e premtimeve që bëri gjatë fushatës Presidenti Obama, do të financohen nga paketa e stimulit ekonomik prej  787 miliard dollarësh të miratuar javën e kaluar. 

Paketa synon të krijojë vende pune dhe të rigjallërojë ekonominë që ndodhet në gjendje krize.

Në përgjigjen e republikanëve, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve,  David Camp tha se partia e tij dëshiron të punojë me Presidentin Obama për të shpëtuar ekonominë por në mënyrë të përgjegjshme dhe që nuk u lë në kurriz brezave të ardhshëm "një mal me borxhe", siç e quajti ai. //ii

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›