Klinton-Thaçit: SHBA do të mbështesë Kosovën

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ka rikonfirmuar edhe njëherë se Republika e Kosovës do të ketë mbështetje të parezervë nga Shtetet e Bashkuara, në implementimin e axhendës Evroatlantike.
Këto komente ajo i bëri gjatë bisedës së sotme telefonike me kryeministrin Hashim Thaçi, ka njoftuar kryeministria e Kosovës.
Zoti Thaçi ka kërkuar mbështetje, në mënyrë që Kosovës “t`i hapen dyert drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian”.
Zonja Klinton i ka rikujtuar kryeministrit Thaçi dhe gjithë popullit të Kosovës, se SHBA asnjëherë nuk do t`i sugjeronte Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë veprime, të cilat do t`i dëmtonin interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet Euroatlantike, thuhet në kumtesë të kryeministrisë.
Gjithashtu sekretarja Klinton uroi zotin Thaçi me rastin e katërvjetorit të Republikës së Kosovës dhe e përgëzoi për arritjet gjatë këtyre viteve.