E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton-Zuma:Do forcojmë raportet SHBA-Afrikë e Jugut

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton dhe presidenti i Afrikës së Jugut, Jakob Zuma janë angazhuar nga qyteti afrikanojugor Durban për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve të tyre, të drejtuara që prej këtij viti nga ekipe të reja qeveritare. "Në të dy vendet, ka dy administrata që i vënë këto marrëdhënie në një nivel më të lartë. Këtë po përpiqemi të bëjmë", deklaroi Zuma për shtypin pas një takimi prej 45 minutash me Klinton në qytetin bregdetar Durban. Zuma është zgjedhur në muajin maj president i vendit, ndërsa Barak Obama mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë në janar. "Jemi ngarkuar nga presidentët përkatës, ministri i Jashtëm afrikanojugor dhe unë, për forcimin e marrëdhënieve tona dhe për bashkëpunimin dhe të sigurohemi se kjo përputhet me shpresat e presidentëve Zuma dhe Obama", tha Klinton, e cila ndodhet në një turne në Afrikë.
Të premten, sekretarja amerikane e Shtetit u shpreh se presidenti Obama ka shprehur vullnetin për të bashkëpunuar ngushtësisht me presidentin Zuma dhe me Afrikën e Jugut. Deklaratat e Klinton dhe të Zumës shënojnë një kthesë në marrëdhëniet mes dy vendeve pas vitesh mosmarrëveshjeje për disa çështje, sidomos për Zimbabven, pushtimin amerikan të Irakut dhe luftën kundër SIDA-s.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›