E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton në Armeni për uljen e tensioneve me Azerbajxhanin


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilary Clinton ndodhet në Armeni, në përpjekje për të ulur tensionet mes qeverisë së Jerevanit dhe Azerbajxhanit lidhur me rajonin e kontestuar të Nagorni Karabahut. Në komentet para bisedimeve me zonjën Clinton, Presidenti i Armenisë, Serzh Sarkisjan tha se ky konflikt është çështja më e rëndësishme për vendin e tij. Ndërkohë, Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev i kërkoi të dielën me këmbëngulje zonjës Clinton që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë në zgjidhjen e konfliktit të Nagorni-Karbahut me Armeninë. Alijev tha se konflikti i Karabahut është kërcënimi më i madh për sigurinë rajonale. Të dy zyrtarët zhvilluan një takim privat në Baku dhe më pas zonja Clinton tha se Uashingtoni është i gatshëm t'i ndihmojë të dy vendet që të arrijnë një paqe të qëndrueshme. Rajoni i Nagorni-Karabahut, i banuar kryesisht nga armenët dhe që ndodhet në teritorin e Azerbajxhanit, ka qenë nën kontrollin e Armenisë që nga vendosja e armëpushimit në vitet 90-të, i cili i dha fund luftës që u kushtoi jetën 35 mijë njerëzve. Sekretarja Clinton diskutoi me zotin Alijev për dy aktivistë të burgosur të opozitës, rasti i të cilëve ka shtuar shqetësimet nëpër botë rreth lirisë së shtypit në ish republikën sovjetike të Azerbajxhanit. Adnan Haxhizade dhe Emin Milli janë dënuar me 24 dhe 36 muaj respektivisht, pasi kritikuan qeverinë gjatë një diskutimi në Internet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›