Klinton uron Kosovën në trevjetorin e pavarësisë
Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e trevjetorit të pavarësisë, duke thënë se Washingtoni është i përkushtuar për ardhmërinë e saj.
Në deklaratën e sekretares Klinton thuhet se “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ardhmen tuaj dhe ne jemi të nderuar të jemi miqtë e juaj dhe partnerë”.
“Ju po e vijëzoni të ardhmen e re për vendin tuaj dhe për rajonin”, tha Klinton, duke shtuar se përvjetori është rast i përshtatshëm për liderët e zgjedhur të Kosovës, ta forcojnë përsëri përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë dhe transparencë, që janë esenciale për përmbushjen e integrimit euro-atlantik.
Sekretarja Klinton tha se ishte e impresionuar me premtimet e një vendi aq të ri, gjatë vizitës së saj në tetor të vitit të kaluar, kur ajo ishte pritur me brohoritje nga masa e njerëzve, që i valëvitnin flamujt amerikanë dhe mbanin parrulla të falënderimit për Shtetet e Bashkuara.