Klinton, vizitë në Korenë e Veriut
Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, ka zhvilluar një vizitë surprizë në Korenë e Veriut me qëllimin për të ndërmjetësuar në lirimin e dy gazetareve amerikane të arrestuara 17 marsin e kaluar. Klinton, që u prit në aeroportin e kryeqytetit të vendit nga Yang Hyong Sop, zëvendëspresident i Asamblesë Popullore dhe nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kim Kye Gwan, ka takuar liderin Kim Jong Il, ku sipas mediave koreanoveriore kishte përçuar edhe një mesazh të Presidentit Obama. Megjithatë, ky lajm është përgënjeshtruar menjëherë nga Shtëpia e Bardhë, e cila ka mohuar kategorikisht faktin se Klinton ka përcjellë një komunikatë nga ana e Presidentit. Që më parë ai e kishte vënë theksin te qëllimi "privat" i misionit të tij. "Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, do të kryejë një vizitë në Korenë e Veriut, me qëllim lirimin e gazetareve amerikane të arrestuara në muajin mars", raporton agjencia shtetërore e lajmeve në vend KCNA. Po sipas saj, Kim Jong Il dhe Klinton u takuan dhe zhvilluan bisedime në të gjitha fushat që përfshinin interesat e përbashkëta". Dy reporteret, Laura Ling dhe Euna Leeu u kapën në muajin mars, pasi mendohet se hynë në mënyrë të paligjshme nga Kina në Korenë e Veriut. Ato u cilësuan fajtore për veprime armiqësore të pasqaruara. Dy gazetaret që punonin për "Current TV" ishin duke bërë kërkime për historinë e refugjatëve në kohën kur u arrestuan. Ato u dënuan në fillim të qershorit me 12 vjet punë të detyruar. Në mungesë të marrëdhënieve diplomatike mes Pjong-Jangut dhe Uashingtonit Klinton është politikani amerikan me profilin më të lartë që viziton Korenë e Veriut që nga viti 2000, kur sekretarja e atëhershme e shtetit, Madlen Ollbrajt, takoi liderin e Kim Jong II. Në të shkuarën në vitet ‘90, guvernatori i "New Mexico"-s, Bill Richardson, kishte arritur të bindte Korenë e Veriut të lëshonte një qytetar amerikan. Ka zëra se misioni i Bill Klinton në Phenian mund të ketë si qëllim edhe uljen e tensioneve për programin bërthamor. Një vizitë në Korenë e Veriut nga ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, më 1994 çoi në arritjen e një marrëveshje në një kohë kur ishte në rritje tensioni për çështjet bërthamore. Madje, mediat kanë nisur të raportojnë se më shumë se negocimi për lirimin e gazetarëve, qëllimi i vizitës së Klintonit ka qenë ai për armët bërthamore pas rritjes së dukshme të tensionit mes dy vendeve. Vetë Koreja i ka cilësuar të mbyllura bisedimet gjashtëpalëshe për këtë çështje.