E Diel, 1 Nëntor 2026

Klishetë e Editës

Me shkrirjen e borës, Kryenegociatorja në dialogun Prishtinë-Beograd tani shpresat i ka tek ngrohja globale që të shkrijë fusnotën. Ajo në një konferencë për shtyp tërthorazi iu kundërpërgjigj Ndërmjetësuesit Robert Cooper, duke thënë se dialogu nuk është politik, por vetëm teknik. Për akuzat tjera nuk u përgjigj fare.

Në një nga paraqitjet e rralla në opinion qyshkur u nënshkrua marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale, Kryenegociatorja Edita Tahiri nuk është përgjigjur në kritikat, të cilat i kanë ardhur si nga opozita dhe shoqëria civile, por edhe nga zyrtarë të partive në koalicionin qeverisës.

Në një konferencë për media të mbajtur pas takimit që ajo kishte me Zëvendëskryeministren për Integrim Europian të Republikës së Maqedonisë, Teuta Arifi, Tahiri ka thënë se nuk dëshiron të merret shumë me kritikat, pasi që Qeveria e Kosovës tashmë e ka dhënë qëndrimin e saj sa i përket negociatave me Serbinë.

Me këtë rast, ajo iu kundërpërgjigj edhe kritikave të Kryeparlamentarit Krasniqi, i cili kishte thënë se marrëveshjet e fundit të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë lënë shumë dyshime nëse ekipi negociator është i aftë të negociojë çështje të interesit nacional.

“Besoj se dje keni pas rast të dëgjoni apo përcillni qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ai është qëndrim zyrtar”, ka thënë ajo.

Tahiri, gjatë argumentimit të saj, gjithashtu ka thënë se Kosova nuk ka nënshkruar asgjë e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, por ka nënshkruar marrëveshje të cilat janë obligime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë, marrëveshje nga të cilat Kosova do të përfitojë.

Por, Zëvendëskryeministrja nuk ka harruar që të vazhdojë ironinë, të cilën e kishte filluar me fjollat e borës që nga nënshkrimi i marrëveshjes për përfaqësim rajonal të Kosovës. Si përgjigje ndaj kritikave për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë përmes një fusnote, e cila përfshin Rezolutën 1244, atë kohë Tahiri kishte thënë se kjo fusnotë do të shkrihet si një fjollë bore.

Por, me kalimin e dimrit dhe shkrirjen e borës, Kryenegociatorja tani ka gjetur një ilaç tjetër, i cili nuk varet shumë nga sezonet e vitit. Tani, sipas saj, ngrohja globale botërore do të ndihmojë shkrirjen e fusnotës.

“Dua të ritheksoj se Kosova dhe populli shqiptar kanë kaluar dimra shumë më të mëdhenj të shtypjes dhe gjenocidit serb. Këto janë tash dimra të vegjël. E dyta, ngrohja globale ka me shkrirë më shpejt”, ka thënë ajo.

Më tutje, Tahiri i është kundërpërgjigjur tërthorazi Ndërmjetësit të BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper, i cili kishte thënë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk është thjesht teknik, por edhe i natyrës politike.

Sipas Zëvendëskryeministres Tahiri, Qeveria e Kosovës e ka interpretuar saktë marrëveshjen për përfaqësim rajonal të Kosovës, ndërsa Serbia vazhdon ta interpretojë atë ndryshe.

“Marrëveshja për bashkëpunimet rajonale është botuar zyrtarisht, qoftë nga BE-ja, qoftë nga Republika e Kosovës dhe ju keni pasur rastin të shihni dhe të lexoni. Ne e kemi interpretuar saktë marrëveshjen, prandaj po marrim pjesë në takimet rajonale. Se kemi raste kur Serbia nuk e interpreton drejt dhe i braktis këto takime, ky është problem i Serbisë.

Zotëri Cooper ka bërë të ditur se fton organizatorët e takimeve rajonale që ta lexojnë dhe ta interpretojnë drejt këtë marrëveshje”, ka theksuar Tahiri.

Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministrja për Integrime Europiane e Republikës së Maqedonisë, Teuta Arifi, ka thënë se Qeveria e Maqedonisë ka mbështetur këtë dialog, duke e vlerësuar atë si të rëndësishëm.

“Ne si qeveri kemi përshëndetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim këtë proces dialogimi, i cili i jep mundësi përfaqësimit të Kosovës në iniciativat të ndryshme ndërkombëtare, duke pasur parasysh faktin që këto njëzet vjet të kaluara edhe ne si shtet është dashur që të bëjmë zgjidhje që shpeshherë, jo gjithmonë kanë qenë të lehta”, ka thënë Arifi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›