E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koordinatori Selimi

Ministria e Jashtme e Kosovës ka emëruar Zëvendësministrin Petrit Selimi si koordinator teknik për anëtarësimin e Kosovës në nisma rajonale dhe mekanizma të BE’së. Ministri Enver Hoxhaj ka kërkuar përmes një letre që të gjitha ministritë të bashkëpunojnë me Selimin rreth çështjeve që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka emëruar Zëvendësministrin Petrit Selimi koordinator teknik që do të bëjë koordinimin e të gjitha aktiviteteve që ndërlidhen me aplikimin, anëtarësimin, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale dhe në mekanizma të BE’së.

Për emërimin e Selimit, Express ka mësuar nga një letër të cilën Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ua ka dërguar ministrave të Qeverisë së Kosovës, ku i ka njoftuar rreth marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale.

“Ju informoj që në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës , z.Petrit Selimi, Zëvendësministër, është përcaktuar si koordinator teknik që do të bëjë koordinimin e të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me aplikimin, anëtarësimin, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në këto nisma rajonale”.

Me këtë rast, Ministri i Jashtëm ka kërkuar që të gjitha dikasteret të bashkëpunojnë me Selimin.

“Ju lus që në periudhën në vijim, kur edhe pritet puna intensive në implementimin e marrëveshjes, të gjitha idetë, iniciativat dhe pjesëmarrjet eventuale në takimet e nismave të ndryshme rajonale sektoriale të bëhen në koordinim të plotë me Zëvendësministrin Selimi”, thuhet në letër.

Po ashtu në këto letra bëhet e ditur se MPJ ka formuar një grup punues që synon të anëtarësojë sa më shpejt Kosovën në organizatat rajonale.

Marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale mes Prishtinë dhe Beogradit ishte arritur gjatë muajit shkurt.

Përfaqësuesit e Kosovës nëpër këto takime tani po përfaqësohen me denominimin “Kosovo “ dhe një asterisk.

Po ashtu marrëveshja përmban edhe fusnotën, ku thuhet se ky formulim është në linjë me Rezolutën 1244 dhe mendimin e GJND’së për deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Sido që të jetë, zbatimi i marrëveshjes po çalon për shkak të interpretimeve që po i bëhen marrëveshjes.

Delegacionet e Serbisë kanë lëshuar takimet ku Kosova është paraqitur vetëm me asterisk, duke kërkuar që aty figurojë edhe përmbajtja e fusnotës.

E pala kosovare ka lëshuar një takim në Beograd ku ka figuruar përmbajtja e fusnotës.

Në Bruksel ndërkaq kanë thënë se marrëveshja është e qartë dhe se u takon organizatorëve të takimeve që të vendosin se ku do ta vendosin fusnotën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›