Klishetë e kinemasë për Shën Valentin

Një tufë historish të mërzitshme dashurie të shkruara pa fantazi dhe loja e shtirur e aktorëve, flasin qartë për dështimin e "Valentine's day", të regjisorit Garry Marshall
Lule të freskëta, dhurata të çmuara, darka të kushtueshme, kartolina me zemra të kuqe, të gjitha që duhet t'i postohen tjetrit me domosdo më 14 shkurt. Një dëshirë që buron nga nga shpirti, për të mos qenë vetëm në ditën e Shën Valentinit.
Ky është shkurt subjekti i filmit "Dita e Shën Valentinit" të regjisorit Garry Marshall. U shfaq për mediat dy ditë përpara Shën Valentinit në kinemanë "Imperial", në të njëjtën kohë me kinematë amerikane, i paraprirë me reklamë të jashtëzakonshme.
Me shumë se një subjekt romance, skenaristja Katherine Fugate ka mbledhur bashkë histori të rëndomta dashurie, të shkruara pa fantazi dhe rezultati është: një film i ngritur mbi klishetë, që nuk të lë asgjë në mendje. Vetëm fraza të stërdëgjuara dhe të tipit: "dashuria s'planifikohet", "Është dita e Shën Valentinit, s'mendohet, veprohet".
Dhe në një romancë, historia e gjetur dhe frazat e goditura janë ato që godasin më tepër.
Ndërsa, dje spektatorët e orës 13.00 ishin gjimnazistë 16-17 vjeçarë. Sallë ishte e mbushur përgjysmë.
Ishte dyta e dytë e filmit dhe bëhej fjalë për një kastë të njohur aktorësh: Julia Roberts, Bradley Cooper, Anne Hathaëay, Jamie Foxx, Ashton Kutcher, Jessica Alba, Jennifer Garner, Jessica Beil, disa prej tyre aktivë në filmat për të rinj.
Filmi"Valentine's Day" trajton marrëdhëniet e dashurisë të çdo lloj moshe.
Personazhet janë fëmijët e fillores, gjimnazistët, të rinjtë në ankthin e ndërtimit të familjes, mosha e mesme me krizat e veta, dhe të moshuarit, të vetmit që kanë rënë në qetësi dhe nuk i "tremb" dita e Shën Valentinit.
Kurse të tjerët, presin me ankth derisa të marrin dhuratën e njeriut të zemrës, të zbulojnë surprizën, të planifikojnë pa fund ngjarje të bukura. Në një moment përmbysen ekuilibrat, dikush i thotë "jo" unazës, ndodh tradhtia, thyhen zemrat dhe zbulohen të vërteta që lëndojnë.
Si përfundim, në emër të Shën Valentinit gjithçka ndreqet. Dikush në krah të atij që e njohu rastësisht, dikur në krahët e atij që nuk e braktisi, të atij që i fali tradhtinë apo në krahët e shokut që iu gjend pranë.
"Mangësia e personazheve, që zënë ekranin me bukurinë dhe pjesërisht me misterin e personalitetit të tyre, shpjegon se përse "Dita e Shën Valentinit" vjen si një episod i keq televiziv, vazhdim i "Dashuria, Stil Amerikan"", shkruan pas premierës, kritikja e "New York Times", Manohla Dargis.
Duket sikur autorja i është referuar aktorit Ashton Kutcher, për të cilin ajo pak më sipër shprehet që "ka zaptuar ekranin".
Të njëjtin pozim si Kutcher shohim edhe tek aktorja Jessica Alba, që nuk e vë në punë plastikën, dhe portreti i tyre interesant, ashtu i ngrirë nuk i thotë asgjë spektatorit. Personazhi i vetëm me një histori ndryshe ishte ai i Kejtit, në rol Julia Roberts.
Dalja në skenë e këtij personazhi, të çon menjëherë në ballafaqimin me falsitetin e të tjerëve. Kejti ka për të falur një lloj dashurie në këtë ditë, që duket e vetmja histori e vërtetë në morinë e historive. Bën 14 orë udhëtim, vetëm për takuar për pak orë të birin.
Edhe bëhet fjalë për një komedi romantike ku humori nuk lind natyrshëm. Ngjarjet që mund të provojnë humorin, janë të përsëritura dhe është qeshur me to më parë diku tjetër. "Është një katastrofë: një prodhim cinik, pa një koncept regjisorial, me një skenar të tmerrshëm. Por shpejt: ka ende kohë për t'ia mbathur", përfundon kritikën e saj Dargis në New York Times-in e 12 shkurtit.