Ka ndonjë koment Sali moralisti për këto fotot e Berluskonit?

Jemi të gjithë dëshmitarë të mërisë së madhe që e ka zënë kryeministrin e Shqipnisë me disa foto-nudo të rivalit të tij politik Edi Ramës. Shyqyr që televizori ka ekran se do na vinin fytyrës stërklat e ulërimave të gjysh Saliut për Edvin lakuriqin që bredh plazheve, që merr në qafë gratë etj. Edhe zemërimin e Jozefinës të shprehur qartë dhe prerë me fjalët "na e shpifën burrat lakuriq" e kemi akoma në vesh e në sy.
Aq shumë e shqetëson sjellja e Ramës me gratë Saliun sa mbajti dhe atë fjalimin-horror në Parlament dhe i nxorri të gjithë klonet e tij me rradhë të thoshin idiotësira publike. Për muaj me rradhë brekët e Edvin lakuriqit nuk u ndaheshin nga goja politikanëve të mëdhenj të Tiranës.
Dhe ne i besuam. Po, po. I besuam sepse në fakt, Saliu është tip i besueshëm që ia ka bërë kaq vend vetes në këtë fushë.
Mirëpo që pas takimit me Berluskonin, një pyetje na shqetëson. A ka ndonjë koment Saliu për fotot e Berluskonit në Vila Certosa, ato që i botuan mediat europiane para ca muajsh e që mund ti shikoni edhe në këtë faqe?
Berluskoni more zoti Sali, i ka bërë këto turpe duke qenë dhe burrë i martuar. Madje nuk i ka hequr brekët me një, po me disa femra njëherësh siç e ke parë edhe ti në këto fotot që bënë xhiron e planetit.
Madje nuk ka vetëm këto foto, por ka dhe një njëqind histori të tjera skandalesh me femra, nuditete, brekë, madje dhe histori të miturash që i sollën dhe letrën publike të revoltës së bashkëshortes.. Ti i di të gjitha këto, se nuk të shpëton gjë ty, sidomos nga këto punët e grave..
Atëherë si ta kuptojmë o gjysh Saliu këtë mendjen tënde atëherë? Pse e mban Silvion me hatër o burrë xhanani? Dhe që ta kuptojnë analistët që nuk të lenë fjalë pa ta anlizuar ti je konservator apo ultraliberal? Je mbrojtës i familjes apo je karagjoz kazermash? Do na i shpjegosh pak pse Silvio lakuriqi qenka "mik i madh i shqiptarëve", kurse Edvin lakuriqi qenka "armik i madh i shqiptarëve"?
Aman, fole një fjalë me peshë nga ato të tuat që zenë shumë vend, edhe për këtë kontradiktë të madhe që na ka lënë pa gjumë. Edhe po nuk fole, s'ka gjë.. Njësoj është.
***
La Repubblica: Berisha e çon Berluskonin te karriget e gazetareve
"...Kryeministri Sali Berisha sapo kishte folur për moratoriumin e skafeve: "Nuk dua që kriminelët të vijnë në Itali", ka thënë Berisha. Berluskoni ka shtuar: "Për ata që sjellin vajza të bukura mund të bëjmë një përjashtim".
Berluskoni është shfaqur tejet galant në marrëdhëniet me gazetarët që kishte marrë me vete kryeministri Berisha. Fotoja standarde me shtrëngimin e duarve të dy kryeministrave, Berisha thotë: "kjo është fotoja më e bukur e ditës".
"Epo... nëse do ishte dhe ndonjëra prej tyre..." është përgjigjur Berluskoni, duke treguar me gisht gazetaret e ulura në rreshtin e parë. Kryeministri shqiptar nuk e le të lutet më gjatë dhe kënaq "mikun e tij Silvio" duke e afruar me gazetaret. Një tjetër mundësi për tu fotografuar. Dhe Berluskoni nuk i reziston dot pa bërë një batutë: "Dihet që tashmë unë jam singëll...".
Berisha më pas ka ftuar në Shqipëri Berluskonin: "Do të pres kryeministrin Silvio Berluskoni, i cili është një personalitet i dashur nga të gjithë shqiptarët dhe që ka pasur shumë raste për të treguar ndjenjat e tij për vendin tim dhe për qytetarët e mi..".
*Teksti i mësipërm është marrë nga kronika e gazetës italiane La Repubblica mbi konferencën e shtypit Berluskoni-Berisha